Lajme

Macron letër Kurtit: Të vazhdohet dialogu me Serbinë


Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, në letrën e tij dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, theksoi se marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë është një nga kushtet për tu afruar me Evropën.

“Zgjidhja e mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës është një sfidë me të cilën duhet të ballafaqoheni. Shpresoj të vazhdoni këtë dialog që të arrini një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme”, ka shkruar Macron.

Ai po ashtu, ka ofruar edhe mbështetjen e tij për këtë proces.

“E di që synoni të realizoni reforma thelbësore, të cilat i kërkojnë bashkëqytetarët tuaj, prandaj dua t’iu siguroj mbështetjen e Francës për të gjitha prioritetet në të mirë të qytetarëve”, vijon shkrimi i tij.

Këtu, ka thënë Macron duhet shtuar se në kohën kur Kosova po preket rëndë dhe kur Bashkimi Evropian po mobilizohet për të ndihmuar vendet e rajonit për të përballuar krizën shëndetësore dhe pasojat e saj, lufta kundër pandemisë duhet të ketë përparësi të menjëhershme.

Ai ndër të tjera është shprehur i lumtur ta mirëpres Kurtin në Paris për të diskutuar rreth këtyre temave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore