Bota

Macron letër Erdoganit për përmirësimin e marrëdhënieve


Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka dërguar një letër presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ku kërkon përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

“Macron-i theksoi rëndësinë që Turqia ka për Evropën. Dëshira e tij është të zhvillohet një lidhje pozitive midis dy vendeve”, deklaroi Cavusoglu.

Ai njoftoi se krerët e dy shteteve mund të zhvillonin një video konferencë ose bisedë telefonike mbi çështjen. Objekt diskutimi janë dhe lufta ndaj terrorizmit, Libia dhe Siria.

Një përmirësim i marrëdhënieve është lënë të kuptohet edhe pas takimit që Cavusolgu pati me homologun e tij portugez, Augusto Santos Silva. Portugalia mori presidencës e BE-së në janar. Një ndër pikat ku do të përqendrohet presidenca portugeze është pikërisht raporti midis Francës dhe Turqisë.

“Gjërat po shkojnë mirë. Nëse Franca është e sinqertë, ne jemi gati të normalizojmë raportin me ta”. Kështu deklaronte Cavusoglu në takimin me Silva-n.

Francë-Turqi-Libi-Siri

Politikat në Siri dhe Libi kanë qenë objekt debatesh midis Francës dhe Turqisë. Konflikti për Mesdheun Lindor dhe rajonin Nagorno-Karabakh, gjithashtu. Çështja e publikimit të karikaturave të profetit Muhamed në Francë, kanë shkaktuar shpesh replika midis krerëve të dy vendeve.

Konflikti në Libi është ndër çështjet më të nxehta. Ankaraja mban krahun e  qeverisë së Fayez al-Sarrazh,  në Tripoli, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara. Për Francën ndërkohë, ka dyshime se mbështeti grushtin e shtetit të organizuar nga gjenerali, Khalifa Haftar.

Në konfliktin e Mesdheut Lindor, Franca ka mbështetur palën greke. Për këtë fakt, Turqia ka dalë me deklarata të forta. Ka pasur edhe një ndihmë, me anije të marinës, që Franca ka dërguar në ujërat greke. Shteti turk ndërkohë ka bërë thirrje disa herë për sprapsjen e Francës.

Dyshime të tjera janë se Turqia i ka shitur armë Libisë. Kombet e Bashkuara kanë vendosur një embargo armësh, por mendohet se Turqia nuk e ka respektuar. Pala turke, gjithsesi, ka mohuar çdo akuzë.

Konflikti i fundit ka ardhur gjatë dhjetorit të 2020-ës, kur Bashkimi Evropian, vendosi sanksione mbi Turqinë. Kjo, për shkak të konfliktit që pala turke ka me atë greke, mbi territorin detar.

Ndarja e Qipros, është një tjetër pikë e nxehtë debati.

Në shtator të vitit 2020, pati një telefonatë midis Macron-it dhe Erdogan-it. Në atë kohë u premtua përmirësimi i marrëdhënieve. Pavarësisht këtij premtimi, situata mbeti e njëjtë.

Tashmë pritet të shihet ç’do të ndodhë, pas letrës që Erdogan-i mori nga Macron./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore