Lajme

LVV refuzon të hetohet veç periudha e fundit për shit-blerjen e energjisë elektrike, propozon komision hetimor qysh nga viti 2008


Ilustrim

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, sipas deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetë formimin e komisionit hetimor parlamentar për sektorin e energjisë, por me spektër të zgjeruar kohor të hetimeve.

Madje, sipas Kusari-Lilas, LVV, tashmë ka mbledhur 40 nënshkrime, aq sa duhet për të formuar një komision hetimor parlamentar, dhe se propozimi i tyre do të përfshijë edhe pikat që i ka propozuar tashmë opozita lidhur me këtë çështje.

“Me dyzet nënshkrime të grupit parlamentar do të dorëzojmë këtë kërkesë që të mundësojmë formimin e komisionit hetimor parlamentar. Ne jemi të interesuar në zbardhjen e të gjitha fakteve që lidhen me vendimmarrjen me sektorin e energjisë që nga shpallja e pavarësisë deri në qeverinë aktuale dhe një propozim të tillë do të dorëzojmë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila për Kosova Press.

Një ditë para seancës plenare, ku në rend dite mes tjerash është edhe kërkesa e opozitës për formimin e komisionit hetimor parlamentar, Lila thotë se në formën aktuale partitë opozitare e kanë të pamundur formimin e komisionit hetimor.

“Është vërejtur që opozita në kompozicionin aktual dhe mënyrën si janë dorëzuar nënshkrimet dyzet nënshkrimet e të gjitha grupeve parlamentare, përfshirë edhe Listën Serbe të bashkangjitur me tri partitë opozitare do të kenë të pamundur themelimin e komisionit hetimor parlamentar, pasi nuk ka grup parlamentar nga i cili mund të zgjidhet kryesuesi apo kryesuesi derisa partitë në pozitë e kanë të ndaluar me ligj të jenë në krye të komisioneve hetimore parlamentare”, ka shtuar ajo.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkojnë me ngulm formimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë.

Pavarësisht sigurimit të dyzet nënshkrimeve, mazhoranca nuk po e përkrah për shkak, siç po konsiderojnë mos respektimit të rregullores së Kuvendit.

Për shkak të kësaj kërkese, opozita ka një javë që po bojkoton votimet në komisione parlamentare, madje një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe në seanca plenare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore