Kosova

LVV-ja: Nuk do të ankohemi në Gjykatën Kushtetuese


Lëvizja Vetëvendosja

Lëvizja Vetëvendosja (LVV), ka deklaruar, se pas vendimit të Gjykatës Supreme, nuk do të ankohen në Gjykatën Kushtetuese. Edhe pse, kryetari i saj, Albin Kurti, nuk do të certifikohet si kandidat për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ata, deklaruan se do të garojnë në zgjedhje, me 110 kandidatë.

” Zgjedhjet do të mbahen më 14 shkurt, ndonëse ka përpjekje për pamundësimin e tyre”.

Anëtarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se qeveria Kurti 2, është një realitet i ri, i pashmangshëm e i shumëpritur.

Pas, këtij vendimi, ka pasur reagime dhe nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti. Sipas Hotit, Kurti, nuk ka pasur të drejtë të jetë as deputet as kryeministër i Kosovës. Ai, tha se në zgjedhje dëshiron të garojë me njerëz, që nuk kanë probleme me ligjin.

Ndërsa, presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se me kurajo, guxim e me vullnetin e qytetarëve, Kurti do të jetë kryeministër më 14 shkurt.

Opinionisti, Dardan Sejdiu, deklaroi se vendimi i Supremës, do e ndihmojë LVV-në në zgjedhje. Pasi, sipas tij, LVV-ja do të luajë rolin e viktimës.

“Në skenën politike të Kosovës Vetëvendosje dëshiron t’i tregojë dy narrativa, të kriminelëve dhe të viktimës. Ku kriminelë janë krejt dhe viktimë është Vetëvendosja, në fakt Albini”.

Reagim ka pasur dhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.

Cramon, deklaron se të gjitha partitë politike duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Supreme.

Nga vetë, Kurti, nuk ka pasur deklaratë rreth mos kandidimit të tij në zgjedhje. Ai, u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë në zgjedhje.

Gjykata Supreme, ia ka ndaluar Kurtit, të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme më 14 shkurt. Pasi, ai nuk përmbush nenin 29, gërmen “q”, të ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Ankesa e subjekteve politike në Gjykatën Supreme, erdhi pasi këta nuk e pranuan vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

PZAP-ja me vendimin e saj, refuzonte kandidimin në zgjedhje të kandidatëve që nuk përmbushnin nenin 29.

Ankesa në PZAP-ë, u bë pas vendimit të Komisionit Qendror në Zgjedhje (KQZ). KQZ-ja, nuk i certifikoi kandidatët e subjekteve politike, që nuk plotësonin nenin 29, të ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore