Shqipëria

LVV-ja, konfirmon pjesëmarrjen në zgjedhjet e 25 prillit, në Shqipëri


Lëvizja Vetëvendosja, dega në Shqipëri, ka njoftuar se do të mbajë një konferencë të enjten për media, për të prezantuar dy kandidatët e parë, që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare, më 25 prill. Përkatësisht, në dy zona zgjedhore në Shqipëri.

Kjo është hera parë, që LVV-ja, do të marrë pjesë në zgjedhjet e Shqipërisë.

Më herët kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se qendra në Shqipëri, është autonome në vendimin e saj nëse dëshiron apo jo të marrë pjesë në zgjedhjet e Shqipërisë.

LVV-ja, më 11 mars të 2019-, zyrtarizoi degën e saj në Shqipëri.

Themeluesit e saj janë; shefi i Grupit Parlamentar të VV-së në Kosovë, Glauk Konjufca, Gerda Demiraj, Dejona Mihali dhe Bojken Abazi. Në këtë listë janë dhe dy emrat e pedagogëve të filozofisë në Shqipëri, Hysamedin Feraj dhe Elvis Hoxha. Si dhe pedagogu Enis Sulstarova, në Shqipëri.

Drejtor ekzekutiv i kësaj dege, është Bojken Abazi. Ndërsa kryetar i Bordit Drejtues, është Enis Sulstarova.

“Qendra synon të japë mbështetjen për ushtrimin e së drejtës demokratike për vetëvendosje të popullit shqiptar për realizimin e bashkimit të shtetit të pavarur të Kosovës me Shqipërinë, duke u bazuar në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe parimin e vetëvendosjes së popujve të shprehur në Kreun 1 të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.

Qendra, do të punojë në rritjen e vetëdijes se bashkimi kombëtar dhe integrimi  i shqiptarëve, në strukturat Euro-Atlantike (si Bashkimi Evropian dhe NATO), të cilat janë procese që duhen realizuar paralelisht dhe plotësojnë njëri-tjetrin.

Qëllimi i saj ka të bëjë me, ngritjen e urave të komunikimit dhe projekteve të bashkëpunimit me shoqërinë civile, sferën akademike dhe intelektuale, sindikatat dhe studentët. Në Shqipëri, Kosovë e në trevat shqiptare të rajonit të Ballkanit. Krijimin e një tregu të përbashkët dhe unionin doganor Shqipëri–Kosovë.

Sipas deklaratave të Kurtit, LVV-ja në Shqipëri “nuk është as pozitë as opozitë, është e regjistruar si organizatë jofitmprurëse”.

“Ne e kemi frymën e përbashkët por nuk dirigjojmë dhe drejtojmë njëri-tjetrin”.

LVV-ja, vepron zyrtarisht në Shqipëri, që në mars të 2019-ës. Në Kosovë, është themeluar në vitin 2004, nga Albin Kurti. Teza kryesore e saj ka qenë, bashkimi Shqipëri-Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore