Lajme

LVV: Gjendja në Veri ka ndryshuar, meritorët jemi ne


Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje, ka shpërndarë një video në llogarinë zyrtare në Facebook, për të treguar se me ardhjen në qeverisje të kësaj partie ka ndryshuar gjendja në Veri të Kosovës.

Videoja në fjalë është një përmbledhje se në çfarë gjendje ishte Veriu për 20 vjet, e si ka filluar të jetë tani. Vetëvendosja përmes kësaj videoje ka akuzuar ish-pushtetarët se e kanë shfrytëzuar këtë territor për të siguruar të ardhura për vete e për t’ia mundësuar Serbisë kolonizimin.

Siç ka shkruar kjo parti, shumëçka ka qenë përherë e mundshme, por nuk është bërë asnjëherë, duke akuzuar LDK-në, PDK-në, e AAK-në, për bashkëpunim me Listën Serbe dhe Millovan Radojiçiçin.

“Kjo për shkak se gjithmonë kur është folur për Mitrovicën gjithnjë është folur për ndarjen ose ‘Zajednicën’. Dhe për shkak se bashkëpunëtorët e Listës Serbe dhe Radojiqiqit bashkë me Serbinë kanë përfituar nga mungesa e sundimit të ligjit në atë pjesë. Tashmë, ndryshimi i gjendjes në veri është i qartë”, thuhet nga Vetëvendosje në përshkrimin e kësaj videoje.

Në videon e mëposhtme, thuhet se “ky është Veriu që na e ka lënë PDK, AAK e LDK, por kjo gjendje ka filluar të ndryshojë drastikisht”.

“Me vetëm një vit e gjysmë qeverisje të kryeministrit Kurti, referendumi i Serbisë nuk u lejua të mbahej. Zgjedhjet e Serbisë, që për 20 vjet u mbajtën pa pengesë, nuk u lejuan. Energjia elektrike që për 20 vjet nuk u pagua, tash e tutje do të paguhet. Aty ku më parë policia shkonte vetëm me helikopter, u ndërtuan tri stacione të reja policore. Mallrat e padoganuara u konfiskuan. Rrugët e kontrabandës u mbyllën. Qendrat e kriptovalutave u mbyllën. Laboratorët e prodhimit të drogave u mbyllën. U vendos rend dhe ligj si në asnjë pjesë tjetër të Republikës së Kosovës”, thuhet në video.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore