Sport

Luuk de Jong prezantohet te Barcelona


Futbollisti më i ri i Barcelonës, Luuk de Jong, ka bërë prezantimin e tij te skuadra “blaugrana”, gjatë ditës se enjte.

De Jong u transferua në Barcelonë këtë të hënë nga skuadra e Sevilla-s, në formulën e huazimit me të drejtë blerje.

Në prezantimin e tij në “Camp Nou”, 31-vjeçari tha se ka përmbushur një ëndërr i cili shpreson që të ketë një sezon të mirë dhe të fitojë trofe me Barcelonën.

“Barcelona është më shumë se një klub. Ata janë një familje dhe këtë e ndjeva sapo mbërrita këtu. Shpresoj që të kemi një sezon të mrekullueshëm së bashku dhe të fitojmë shumë tituj”, u shpreh Luuk de Jong.

Holandezi vazhdoi më tej, duke thënë për shokun e tij të skuadrës, Memphis Depay, se ka një marrëdhënie të shkëlqyer, si dhe përshtaten mirë në fushë.

“Kam një marrëdhënie të mirë me të, e njoh që nga kohët e PSV-së dhe kemi luajtur mirë së bashku. Ne kuptoheshim vetëm me sy, pa fjalë. Shpresoj që të lidhja jonë të funksionojë te Barcelona”, shtoi ai.

Në fund sulmuesi holandez nuk e la pa e përmendur edhe bashkëkombësin e tij, Ronald Koeman, i cili është trajner i Barcelonës.

“Mendoj se jam sulmuesi që Koeman po kërkon. Pata një dëmtim, por kam punuar mjaftueshëm me ekipin. Tani ndihem i aftë dhe i përgatitur”, tha Luuk de Jong.

Kujtojmë që përveç Sevilla-s, 31-vjeçari ka luajtur edhe në ekipe të ndryshme si: PSV Eindhoven, Newcastle, Mönchengladbach, Twente etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore