Shëndet

Lumturia nuk është qëllim për t’u arritur


Truri ynë nuk di si të jetë i lumtur, apo si ta krijoje atë. Kjo sepse atij i mungojnë udhëzimet gjenetike për të kryer atë detyrë. Di të bëjë një milion gjëra të tjera më pak të rëndësishme, që nga shkrimi i një letre apo vlerësimi i muzikës e deri tek nuhatja e një trëndafili, por nëse i kërkoni trurit të jetë i lumtur, ai thjesht nuk di se si të përgjigjet.

Kjo sepse kodi gjenetik që mbajmë në kromozomet tona, i cili është produkt i mijëra viteve të evolucionit përmes përzgjedhjes natyrore, ka të bëjë vetëm me mbijetesën dhe riprodhimin.

Lumturia nuk ka të bëjë domosdoshmërish me mbijetesën dhe riprodhimin, dhe për këtë arsye i përket një fushe tjetër. Kjo është sfera e ideve dhe miteve abstrakte. Ne mund të jemi në gjendje të mendojmë për lumturinë, por mendja jonë nuk është në gjendje ta ndiejë atë si një përvojë të qëndrueshme.

Në fakt, edhe nëse e lëmë mënjanë idenë e lumturisë si një qëllim jetësor për një moment e të vendosim një gjendje kënaqësie si shënjestër më modeste, përsëri do të pengohemi. Natyra nuk dëshiron që ne të ndjehemi gjithmonë të kënaqur, aq më pak të lumtur, pasi kjo do të ulte mbrojtjen tonë ndaj kërcënimeve të mundshme për mbijetesën.

Lumturia, siç shprehet poeti brazilian Vinicius de Moraes, është “si një pendë që fluturon në ajër. Fluturon si drita, por jo për shumë gjatë”.

Shumë kode të moralit predikojnë një gjendje të ekuilibrit të virtytshëm psikologjik përmes heqjes dorë, shkëputjes dhe mbajtjes së dëshirës si një mënyrë për të arritur një gjendje lumturie. Në fakt, këto strategji thjesht përpiqen të gjejnë një ilaç për paaftësinë tonë të lindur për të shijuar jetën vazhdimisht. Kështu që ne duhet të ngushëllohemi duke ditur se pakënaqësia nuk është në të vërtetë rezultat i mangësive tona morale.

Ne jemi të vendosur nga modeli ynë biologjik të përjetojmë emocione të përziera dhe të çrregullta, shpeshherë njëkohësisht. Pakënaqësia e pashmangshme që të gjithë vuajmë, nuk është një mangësi që kërkon riparim urgjent. Kjo pakënaqësi është, në fakt, ajo që na bën njerëz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore