Lajme

Lumir Abdixhiku vizitë zyrtare në Amerikë


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë muajit nëntor, më saktësisht më datën 14 të hënën do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmi për Albanian Post është konfirmuar përmes burimeve brenda LDK-së.

Sipas burimeve, Abdixhiku pritet që të ketë takime me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Vizita e Abdixhikut vjen në një moment kur është intensifikuar diskutimi për arritjen e një marrëveshje finale përmes propozimit franko-gjerman, të cilin amerikanët e kanë mbështetur.

Së fundmi Abdixhiku, kishte refuzuar ftesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për një takim ku çështja kryesore ishte tema e dialogut.

Sipas zëdhënëses së LDK-së, Sibel Halimi, për temën e dialogut, Albin Kurti duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës, aty ku edhe LDK-ja do të mund t’i ritheksojë qëndrimet e saja.

“Ky ka qenë edhe dakordimi i liderëve nga takimi paraprak”, kishte thënë Halimi për Albanian Post.

Sipas LDK-së, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke.

“Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme”, kishte shtuar ajo.

Ndryshe gjatë muajit nëntor, për në ShBA-të do të udhëtojë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovë, Memli Krasniqi.

Se dialogu Kosovë-Serbi, ka hyrë në një fazë të re shumë më dinamike e kishin dëshmuar së fundmi edhe vizitat e top-diplomatëve perëndimor, Gabriel Esocbar dhe Miroslav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd.

Escobar dhe Lajçak, gjatë vizitës së tyre të fundit në Kosovë, përveç se kishin takuar krerët institucional, kishin lënë takim, si në vizitën e tyre të parë në gusht të këtij viti, edhe me krerët e partive opozitare.

“Krejt” por i vetëm, Kurtit ia refuzojnë ftesën liderët e opozitës

Cili është skenari drejt pajtimit fillestar?

Siç e ka transmetuar Albanian Post, në skenarin e prezantuar për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi, pajtimi i parë duhet të arrihet më së largu deri me 24 shkurt.

Në pikat që i janë paraqitur Albanian Post-it, arsyeja e urgjencës qëndron “në një vjetorin e luftës në Ukrainë” dhe shtetet aleate planifikojnë që të demonstrojnë unitet, gatishmëri e fuqi në përkrahje të Ukrainës”.

Komuniteti ndërkombëtar më nuk kërkon “një zgjidhje të shpejt”, por “një proces pajtimi”, i cili dallon nga dinamikat e dialogut aktual dhe kërkon arritje pajtimi në disa faza.

Projekti është hartuar me kujdes dhe është gjetur një rrugë e re “ku secila palë ruan mirazhin e pozicionit të vet parimor”.

Çfarë botoi Albanian Post me 18 shtator që hapi debatin në Kosovë dhe detyroi institucionet të flasin për herë të parë për propozimin konkret?

Sipas draft-propozimit franko-gjerman që pati publikuar Albanian Post, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Dokumenti gjithashtu sqaronte se me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore