Lajme

Lumir Abdixhiku: LDK do të marrë pjesë në votimin e Vjosa Osmanit për presidente


Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka thënë që ata do të marrin pjesë në zgjedhjen e presidentit, por pa paragjykuar votimin individual të deputetëve.

“LDK nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit. LDK do të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit pa paragjykuar se si votojnë deputetët. Ky është vendim i kryesisë”, ka thënë Abdixhiku në një konferencë për media.

Tutje ai ka thënë se për të dhënë zgjidhje, mundësi e stabilitet, deri më tani ka mbajtur tri takime diskutuese. “Në takimet me Osmanin, kemi diskutuar mbi dialogun, mbi shtetësinë e Kosovës, për rendin tonë kushtetues dhe garancitë që i njëjti të ruhet me fanatizëm”.

Po ashtu, Abdixhiku ka treguar se kanë diskutuar për pozitën apolitike e apartiake të Osmanit si presidente.

“Është njeriu që e bën presidentin, jo letra, qoftë ajo një letër aq e vlefshme sa Kushtetuta e Kosovës. Sepse e shkuara na ka mësuar ndryshe”, shtoi ai.

Në pyetjen nëse ky vendim ka edhe mbështetjen e treshes, Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj, të cilët janë përfolur si deputetë që kundërshtojnë zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, ai ka kërkuar mos-personalizim me emra, duke shtuar se pret “që të respektohet vendimi i kryesisë, si organi më i lartë partiak”.

Abdixhiku ka thënë që në këtë kohë ka dëgjuar zëra anësor se zgjedhja e presidentit nuk është e LDK-së, por ka shtuar se kjo do të ishte ikje nga përgjegjësia.

“Ikja nga përgjegjësia është zgjedhja më e lehtë për çdo politikan. Por as unë e as LDK nuk jemi për zgjedhje të lehta.  Me forcën politike që kemi momentalisht kemi pasur dy mundësi, të zgjedhim obstruksionin dhe të jemi pjesë e zhvillimeve në zgjedhjen e presidentit. Kemi zgjedhur të dytën, sepse rrugën e konstruktivitetit në institucione e ka LDK”.

Ai ka thënë që pjesëmarrja në votim zgjedhjen e presidentit të Kosovës është vendim i kryesisë së LDK-së, të cilin në takimin e të martës ua ka prezantuar Grupit Parlamentar të partisë që drejton.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore