Vende

Lumi i Shalës ose “Tajlanda” shqiptare, një mrekulli e alpeve


Shqipëria është një vend i bekuar me ato çfarë i ka falur natyra. Këtu përmendim dete, lumenj, përrenj, liqene, laguna, kodra, male etj. Por të ndalemi tek një lumë i veçant, që kohët e fundit ka marrë një vëmendje të shtuar të turistëve, sa arrin në atë pikë që të cilësohet si “Tajlanda” shqiptare.

 

Lumi buron nga maja e Radohinës, në afërsi të Thethit dhe përshkon gjithë luginën e Shalës, për të përfunduar në liqenin e Komanit, me një gjatësi të përgjithëshme prej 37 km.

Ai kalon mes maleve, në një natyrë të virgjër, plotë gjelbërim, me ujin në ngjyrë të kaltër dhe shkëmbinjë të thepisur që e rrethojnë. Janë pikërisht këto karakteristika që kanë bërë të mundur që ky lumë të quhet “Tajlanda” shqiptare.

Vitet e fundit janë shtuar lëvizjet turistike në drejtim të këtij destinacioni si nga turistët vendas ashtu edhe të huaj. Për të shkuar në lumin e Shalës, ka vetëm një rrugë që ndiqet nga ana e turistëve, nga Vau i Dejës, në një udhëtim me vark ose traget përmes liqenit të Komanit, me kohëzgjatje deri në një orë.

Por, çfarë ofron lumi i Shalës?

Së pari, lumi ofron mundësinë për plazh dhe banjo dielli, në ujin e kristaltë dhe plazhin me zhavor. Së dyti, për aventurierët ofrohet mundësia për ngjitje në shkëmbinjë dhe së treti, për të apasionuarit ndaj natyrës, jepet mundësia e udhëtimit me vark mes maleve, në natyrën e egër të alpeve. Gjithashtu , zona ka kushte të favorshme edhe për ngritje kampingu dhe për piknik, sidomos gjatë verës.

Sipas gojëdhënave, kjo zonë ka qenë edhe ndër zonat më të preferuara të Lekë Dukagjinit, ku ai ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij dhe madje një zonë dominante e relievit njihet si “Guri i Lekës”, nga ku ai vëzhgonte nëse ushtarët turq hynin në territoret e tij./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore