Vende

Lumi i bekuar i Vjosës


Lumi i Langaricës, degë e Vjosës që për vendasit është “Lumi i bekuar”, rrjedh fuqishëm përmes një kanioni spektakolar shkëmbor, të fshehur mes pyjeve dhe maleve të Dangëllisë.

Peizazhi natyror i këtij lumi, deri tani të harruar, është nga më piktoreskët në të gjithë Shqipërinë.

Në dimër, Langarica “tërbohet”, por nuk del dot nga shtrati, sepse nuk e lejojnë “muret” shkëmbore të kanionit.

Gjatë rrugëtimit të tij drejt Vjosës, rrjedha e Langaricës përfshin prurjet e dhjetëra përrenjve të tjerë, që gjatë dimrit i ndryshojnë konfiguracionin e territorit përreth Urës së Katiut, një monument i rrallë kulture.

Çdo vit, brigjet e lumit gërryhen, ndërsa në shpellat e shumta në të dyja anët e kanionit, vizitorët e verës gjejnë dru e shkurre të sjella e të mbetura aty nga ujërat e fryra të dimrit.

Peizazhi është vërtet mahnitës: shpella, kanione, gjelbërim, pemë dhe shkurre aromatike, ndërsa ujërat termale, të cilët burojnë rrëzë shpellave të kaltra dhe me një aromë të lehtë sulfuri, pasi dalin nga rrëzat e shtratit të lumit, derdhen në rrjedhën e rrëmbyeshme të lumit të Langaricës.

 

Pellgu i luginës së Vjosës është zona më e pasur me burime ujore kuruese në rajonin jugor. Përveç Bënjës, kurative janë edhe burimet me gazrat sulfurore të Postenanit, burimet e ujërave termominerale të Vronomerit, afër Leskovikut në kufi me rajonin e Konicës në Greqi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore