Sport

Lukaku te Chelsea, a është ‘pazar’ i mirë për Inter-in?


Romelu Lukaku është emri më “i nxehtë” këto dy ditë në merkaton e Chelsea-t dhe Inter-it. Belgu thuhet se u ka kërkuar zikaltrëve të pranojnë ofertën e bluve të Londrës, ekip në të cilin u rrit si lojtar.

Largimi i Lukaku-t do të ishte një goditje e rëndë për Inter-in, pas largimeve të trajnerit Antonio Conte dhe mbrojtësit Achraf Hakimi.

Ultrasit e ekipit, Corva Nord, kanë reaguar pas lajmeve mbi largimin e sulmuesit belg.

Ata kanë varur një banderolë përpara selisë së klubit ku kanë shkruajtur “Vëmendje klubit, premtimet duhen mbajtur”.

Lukaku, në dy sezonet e tij me Inter-in, ka luajtur 95 ndeshje, duke arritur të shënojë 64 gola dhe është kthyer në idhull të tifozërisë.

Përpos aspektit “njerëzor”, është dhe ai ekonomik

Inter-i është në krizë financiare dhe këtë e tregoi edhe me shitjen e Hakimi-t te PSG-ja.

Chelsea ofron 130 milionë euro për Lukaku-n, që në një periudhë të tillë nuk janë pak, duke parë goditjet ekonomike që ka dhënë coronavirusi.

Ndërsa, për Lukaku-n klubi nga Londra ka ofruar një rrogë vjetore prej 12 milionë eurosh në sezon. Aktualisht ai merr 8.5 milionë euro.

Sa fiton Inter-i?

Klubi italian e bleu Lukaku-n nga Manchester United-i në verën e vitit 2019 për 67.1 milionë euro, pas dy vitesh zhvlerësim, kosto e Lukaku-t ka arritur në 40 milionë euro.

Pra, Inter-it do t’i duheshin vetëm 40 milionë euro për të mos dalë me humbje nga transferimi i gjigantit belg.

Në rastin në fjalë, Chelsea ofron 130 milionë euro, që do të thotë se Inter-i do të fitonte 90 milionë euro.

Duke hequr kontributin e solidaritetit në FIFA nga ky transferim, që është 5% ose 6.5 milionë euro, si dhe bonuset tek United-i që janë 6% ose 7.8 milionë euro, fitimi do të ishte rreth 75 milionë euro.

Por, nuk mbaron me kaq, pasi pesha e pagës bruto të Lukaku-t është rreth 24 milionë euro, duke përfshirë pagën për sezonin e ri, që do t’i nënshtrohet rritjes në 11.1 milionë euro dhe kostos së amortizimit që kap shifrën e 13 milionë eurove.

Gjithashtu paratë e mbetura nga një shitje e mundshme e Lukaku-t dhe 27.6 milionë eurot që ishin fitim nga Hakimi i mundësojnë Inter-it që të transferojë lehtësisht Nahitan Nandez-in për të zëvendësuar marokenin dhe zëvendësuesin e Lukaku-t.

Për zëvendësuesin e Lukaku-t, në një shembull konkretë, nëse afrohet një lojtar me kosto 40 milionë euro dhe i ofrohet kontratë pesëvjeçare me 4 milionë euro neto në sezon, kosto e amortizimit dhe pagës bruto do të shkojë afërsisht 15 milionë euro.

Në thelb, një transferim i tillë do ta ulte me 10 milionë euro koston e shpenzimeve, duke kaluar edhe pragun 15-20 % që ka kërkuar presidenti Steven Zhang.

Por, në krahun tjetër largimi i Hakimi-t dhe Lukaku-t ndikojnë shumë në cilësinë e ekipit, sidomos kur kampionati është gati të fillojë sezonin e ri 2021/22.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore