Sport

Luhet gjithçka në Dortmund


Luhet sot ndeshja e dytë dhe ndoshta ajo më e hapur e çerekfinaleve mes Borussia Dortmund-it dhe Manchester City-t.

Ndryshe nga çfarë pritej, Dortmund-i vjen në këtë ndeshje në pozitë shumë të mirë, përkundër humbjes në ndeshjen e parë.

Goli i Foden-it në sekondat e fundit të ndeshjes u mohoi gjermanëve një barazim masiv në Angli.

Ishin De Bruyne dhe Reus që shënuan golat e tjerë të ndeshjes, me rezultat përfundimtar që ishte 2-1 në favor të qytetarëve.

Në një ndeshje, ku një gol mund të vendosë gjithçka, dy skuadrat vijnë me motivim të lartë.

Vendasit, në këtë ndeshje, vijnë pa: Moukoko-n, Sancho-n, Schmelzer-in, Witsel-in dhe Zagadou-n.

Kurse, për mysafirët mungesë e vetme është 32-vjeçari Aguero.

Manchester City ka dështuar të arrijë gjysmëfinalet e Champions-it që nga sezoni 2015/‘16.

Kurse, Dortmund-i për herë të fundit në gjysmëfinale mori pjesë në sezonin 2012/’13.

Të dyja këto skuadra u përballen me Real Madrid-in në gjysmëfinalet përkatëse, kurse këtë sezon, cilado që arrin të kalojë më tej, do të përballet me PSG-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore