Lajme

Luhatjet në botën e kriptove, luhatën edhe besimin e njerëzve


Bota e kriptomonedhave u trondit dy javët e fundit. Aq sa tregu është ende i destabilizuar pas shitjes masive të shkaktuar nga paqëndrueshmëria e stablecoin (monedhë e qëndrueshme) TerraUSD (UST).

Bitcoin ra në mënyrë drastike, në një vlerë prej rreth 30 mijë dollarësh, nga rreth 38 mijë që ishte në fillim të muajit.

Ethereum, monedha digjitale e dytë më e madhe në botë, është ende nën nivelin e saj normal prej 2 mijë dollarësh, duke pësuar një rënie më shumë se 39% që nga fillimi i majit.

Por, çfarë ndodhi?

Një nga fajtorët e mëdhenj, shkaktar i rënies së vlerave të kriptovalutave janë monedhat e qëndrueshme, veçanërisht UST dhe LUNA.

UST, i krijuar nga Terraform Labs, është një stablecoin algoritmik, që do të thotë se, në vend që të ketë para dhe aktive të tjera në një rezervë për të mbështetur tokenin e tij, ai përdor një përzierje komplekse kodi dhe LUNA-sh për të stabilizuar procesin.

AlbCoin

Krijuesit e kriptomonedhës së parë në Shqipëri, AlbCoin sqaruan për Albanian Post arsyen e kolapsit të stablecoin UST dhe rënien e vlerave të kriptove.

Arsyeja e vërtetë e rënies së çmimeve, thanë ata, u shkaktua nga mbiprodhimi i monedhës LUNA, me të cilën UST ishte e lidhur.

“Prodhimi me tepri i kriptovalutës LUNA, e çoi vlerën e saj në zero”.

Sipas tyre, menaxhimi i dobët i situatës nga krijuesi i UST, Do Kwon, do të thotë që kriptomonedha UST dhe LUNA e lidhur me të ishte “skemë e mirëfilltë mashtrimi”.

Do Kwon, krijuesi i TerraUSD

Kjo, sepse Kwon dëshiron të krijojë një “kripto të re duke lenë qindra apo mijëra investitorë dhe firma në rrugë të madhe”.

Për investitorin e kriptove David Gerard, stablecoin janë “një gjë e qëndrueshme, e ndërtuar nga një gjë e paqëndrueshme (siç janë kriptovalutat)”.

LUNA, thotë ai, u krijua si “skemë piramidale, duke pretenduar se nuk është e tillë”.

A janë të besueshme kriptovalutat?

Sipas website-t, që studion tregun e kriptovalutave, Coinbase, Bitcoin (BTC) ka parë një rritje prej 97.7% gjatë vitit 2021: Ethereum (ETH) është rritur me 455.87% dhe DOGE (e krijuar si shaka) është rritur me 10 mijë e 606%.

Bazuar te shifrat e mësipërme, stafi i ALBCoin argumenton se kjo tregon interesin e madh që kanë njerëzit për kriptovalutat dhe janë të bindur që Bitcoin shkon deri aty sa të përdoret si njësia bazë e vlerës së mallrave.

“Do të vijë dita që vlera e gjitha objekteve, materialeve nga fizike apo elektronike, që do të mund të blihen, nuk do të kenë më vlerësimin mbi dollarë, lekë apo euro, por do të vlerësohen në raport me Bitcoin-in”.

Vlera e Ethereum: maj 2021 – maj 2022
Vlera e Bitcoin: maj 2021 – maj 2022

Por, këshillon AlbCoin, “shqiptarët duhet të presin derisa bota e kriptove të bëhet më e sigurt që të investojnë”.

“Dhe këto investime, të mos shkojnë në projekte që s’janë Bitcoin apo Ethereum”,

Në pamje më të zgjeruar, rritja e vlerës së kriptovalutave ka bërë që shumë persona të investojnë në to.

“Fatkeqësisht”, thotë Besmir Semanajt, ekspert IT-je për Albanian Post, “njerëzit nuk janë aq skeptikë sa do të duhej të ishin”, prandaj dhe “hedhin shuma të mëdha për të blerë kriptomonedha”.

Si një nga kritikuesit kryesorë shqiptarë të kriptovalutave, eksperti i IT-së jep një këshillë që “nëse do të investoni, investoni në shuma, të cilat nuk do të ishte problem t’i humbisnit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore