Vende

Luginat e fshehura të Himalajeve: Parajsë


“Këtu ndodhem në shtëpi, në parajsën time”.

Duke parë nga porta e manastirit kolonat e shkëmbinjve dhe akullit që shkojnë 7000 metra në qiell, këtë tha murgu budist teksa buzëqeshi.

Veç pak dhe e ktheu sërish vëmendjen te klasa ku po mësonte murgjit e rinj.

Larg nga aty, larg fshatit të vogël Thame me shtëpitë prej guri dhe fushat me elbi dhe patate, larg majave të mëdha të Himalajeve, gjendet një vend ku bota fizike dhe ajo shpirtërore mbivendosen.

Janë luginat e fshehura, vendndodhja e të cilave do të zbulohet vetëm në momente shumë specifike në kohë kur bota është nën stres të madh dhe në rrezik shkatërrimi nga lufta, uria ose murtaja.

Në momente të tilla, besohet se një luginë e fshehur bëhet strehë në një botë të paqëndrueshme ku gjithçka jeton në harmoni.

“Është vend i shenjtë dhe një vend i shenjtë në të cilin lamat mësuesit e budizmit tibetian mund t’i çojnë njerëzit në kohë grindjesh dhe telashesh”, shpjegon studiuesja Frances Klatzel.

Por vetëm një budist i vërtetë me një zemër të pastër që ka kapërcyer sprova dhe vështirësi të mëdha mund të hyjë atje. Për budistët Nyingma, përpjekja për të hyrë kur të gjitha kushtet e mësipërme nuk plotësohen ka të ngjarë të çojë në vdekje.

Ngjan magjepsëse që diku midis rrudhave të Himalajës mund të gjenden toka të fshehura që u zbulohen disa njerëzve të denjë në kohë fatkeqësie.

Sipas saj, këto lugina të fshehta u krijuan nga Padmasambhava, një mjeshtër budist, i cili mendohej se ishte i dobishëm në përhapjen e budizmit në të gjithë Tibetin dhe Himalajen rreth shekujve VIII ose IX.

“Gjatë udhëtimeve të tij në Himalaje, Padmasambhava e kuptoi se kohët e grindjeve do të vinin, kështu që ai përdori fuqitë e tij shpirtërore për të fshehur disa lugina dhe shkroi tekste që përshkruanin vendndodhjet e tyre dhe kushtet për të hyrë në to”, tregon ajo.

Këto tekste ishin fshehur në shpella, brenda manastireve dhe pas ujëvarave në të gjithë Himalajet dhe mund të zbuloheshin vetëm në momente që ishin paracaktuar nga Padmasambhava.

Askush nuk e di saktësisht se sa lugina të tilla janë, por 108 është shifra më e pranuar gjerësisht.

Shumica janë në anën jugore të Himalajës, e cila është më e gjelbër, më e lagësht dhe më pjellore sesa pllaja shpesh sterile dhe e ashpër tibetiane.

Disa nga këto lugina të fshehta janë njohur nga praktikuesit budistë për shekuj me radhë dhe tani janë të mbushura me fshatra dhe qytete. Pastaj ka nga ato ku vendndodhja dihet, por është e paarritshme për shumicën.

Mund të jetë e lehtë ta konsiderosh idenë e një toke të fshehur si diçka të dalë nga një përrallë, por me të vërtetë janë gjetur detaje që e shpjegojnë këtë.

Ngjashëm si vetë bejulët që duken të jenë më shumë se legjendë, po ashtu janë edhe historitë e një fundi të frikshëm nëse përpiqesh të hysh në një luginë të fshehur kur nuk është koha e duhur ose nëse zemra nuk është aq e pastër sa mendon.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore