Kosova

Lufta në Kosovë: Ekipi i gazetarëve u vra një ditë pas armëpushimit


Një seri dokumentarësh të realizuar nga BIRN, tregojnë historinë e rreth 150 gazetarëve të cilët u vranë gjatë luftës së Kosovës. Ndër ta, edhe një grup me tre vetë, të vrarë një ditë pas shpalljes së armëpushimit.

Gazetari italian Gabriel Gruener, fotografi gjerman Volker Kraemer dhe përkthyesi shqiptar Shenoll Aliti, mbetën tragjikisht të vrarë në një atentat të realizuar nga një mercenar rus që luftonte kundër Kosovës.

Si filloi ngjarja?

Në qershor 1999, një fotoreporter gjerman, Uli Reinhardt, i cili punonte në revistën gjermane Stern, kishte lënë takim me kolegun e tij Gruener, në orën gjashtë pasdite në Prizren. Gruener nuk do të paraqitej në takim.

Treshja Gruener-Kraemer-Aliti ndërkohë, ishin detyruar të ktheheshin në Shkup. Arsyeja ishte dërgimi i materialeve që kishin regjistruar. Nga Kosova ishte e pamundur të dërgoheshin materialet e tyre.

Ishte vetëm dita e parë pas shpalljes së armëpushimit. Trupat e NATO-s kishin bombarduar forcat jugosllave për 78 ditë me radhë. Regjimi i Slobodan Milosevic-it ishte detyruar të tërhiqte trupat mbrapsht.

Ndërkohë që forcat e NATO-s po futeshin në Kosovë, ato serbe po dilnin nga Kosova. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), ishte shpallur fituese.

Në atë kohë, revista Stern kishte dy ekipe në Kosovë për të raportuar. Njëri ekip ishte ai i udhëhequr nga Gruener. Ekipi tjetër ishte shkëputur për të ndjekur zhvillimet në një qytet tjetër.

Çfarë kishte ndodhur me ekipin e Gruener?

Uli Reinheart, më vonë zbuloi se ekipi i Gruener, ishte goditur nga një sulm në fshatin Duhel në afërsi të Suharekës. Pamjet që Reinheart do të shihte në vendngjarje, ishin tmerruese.

“Kur arritëm, kishte shumë gjak në tokë. Kur po ecnim rreth vendit të ngjarjes, disa metra më tutje pamë një trup. Ishte ai i Shenoll Alitit”.

Gruener, Kraemer dhe Aliti kishin mbetur të vrarë në atë sulm.

Fillimisht, revista Stern dhe familjarët menduan se ishin vrarë nga forcat serbe. Më vonë hetimi zbuloi se një mercenar rus që luftonte për Serbinë kishte kryer vrasjen. Përshtat Albanian Post nga BalkanInsight.

Për të lexuar historinë e plotë, klikoni këtu./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore