Lajme

Lufta e Pelosi-t për demokracinë në orët e sulmit në Capitol në një dokumentar


Lufta e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi-t, për të ruajtur demokracinë amerikane në orët dramatike të sulmit të 6 janarit janë pjesë e një dokumentari.

Pelosi shihet duke parë në televizor fjalimin nxitës të ish-presidentit amerikan Donald Trump drejtuar mbështetësve të tij.

Ajo shihet teksa largohet me nxitim nga ndërtesa e Capitol-it dhe duke i bërë thirrje zëvendëspresidentit Mike Pence dhe zyrtarëve të tjerë nga baza ushtarake Fort McNair, ku udhëheqësit e Kongresit u strehuan nga turma.

Pelosi, paçka kaosit dhe konfuzionit, e kishte të qartë se Trump-i ishte përgjegjës për nxitjen e asaj që ajo e përshkruan si një “kryengritje”.

Ky rindërtim i sulmit ndaj demokracisë në një dokumentar është prodhuar dhe drejtuar nga vajza e Pelosi-t, regjisorja Alexandra Pelosi.

Herët gjatë ditës, Pelosi është në zyrën e saj, duke vendosur maskën dhe duke rregulluar flokët teksa tre ekrane televizive tregojnë Trump-in duke nxitur mbështetësit e tij në Ellipse dhe duke u zotuar se nuk do t’i pranojë kurrë zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Duke parë nga një dritare, djali adoleshent i Alexandra-s, Paul, dallon një turmë që mblidhet jashtë Capitol-it. Shefi i shtabit të Pelosi-t, Terri McCullough, raporton se Shërbimi Sekret e ka dekurajuar Trump-in të vijë në Capitol sepse nuk do të kishin burimet për ta mbrojtur.

“Nëse ai vjen, do ta nxjerr me grushte. E kam pritur këtë. Për shkeljen e territorit të Capitol-it, do ta nxjerr me grushte dhe do të shkoj në burg dhe do të jem e lumtur”, i përgjigjet ajo.

Turma që brohoriste dhe i binte borive sulmon policinë, thyen xhamat dhe futet me forcë në ndërtesë, duke bërtitur: “Kjo është shtëpia jonë!”

Pelosi arratiset me vetëm dy minuta kohë. Në orën 14:15, ajo përcillet për në siguri poshtë një shkalle.

Në katin e sipërm, protestuesit kërkojnë të dinë se ku numërohen votat. Duke ecur nëpër një korridor tjetër me ndihmës rreth saj, Pelosi me sa duket e kupton se çfarë momenti i rrezikshëm është ky për demokracinë. A

Bashkë me vajzat, ajo ulet në pjesën e pasme të një makine SUV me ngjyrë të zezë në mënyrë që të mund të ketë siguri.

Kurse në katin e sipërm, zyra e saj plaçkitet nga mbështetësit e Trump-it.

Pelosi shihet duke hyrë në bazën ushtarake në Fort McNair.

Teksa kongresmeni James Clyburn e shikon, ajo thotë se “duhet të ketë një mënyrë që njerëzit të kenë njëfarë sigurie, njëfarë besimi se qeveria mund të funksionojë dhe se ne mund të zgjedhim presidentin e SHBA-ve”.

Ngjarje pas ngjarje, nga ora 17:45 forcat e sigurisë e kanë rifituar kontrollin.

Pelosi informohet se Kongresi do të jetë në gjendje të mblidhet përsëri. Prandaj, plani rezervë për ta bërë këtë në Fort McNair nuk ishte i nevojshëm.

“Më vjen keq për atë që ai i bëri Capitol-it dhe vendit sot. Ai duhet të paguajë një çmim për këtë”, thotë ajo për Trump-in teksa kthehet.

Më 13 janar, një javë para se të largohej nga detyra, Dhoma e Përfaqësuesve votoi për shkarkimin e Trump-it me një votim 232-197 për nxitje të kryengritjes.

Ai ishte presidenti i parë në histori që u fajësua dy herë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore