Lajme

Lufta e pandalshme kundër komunitetit LGBTQ+ në Serbi


Nëntë muaj pas përmbysjes së presidentit autokratik serb, Slobodan Millosheviç, Beogradi u përpoq të organizonte Paradën e parë të Krenarisë.

Ishte qershori i vitit 2001.

Ngjarja, të cilën organizatorët e kishin parashikuar si një festë të një epoke të re, progresive, u shndërrua në makth.

Grupe të rinjsh marshuan nëpër kryeqytet duke brohoritur.

Fanatikët e klubeve më të mëdha të futbollit të Beogradit për një moment lanë mënjanë armiqësitë dhe bënë trazira në qytet, duke rrahur pjesëmarrësit e paradës dhe duke luftuar me policinë që lanë dy oficerë të plagosur rëndë.

Këtë javë, autoritetet e vendit  i dhanë fund EuroPride, ngjarjes historike në kalendarin e kontinentit LGBTQ+.

Festivali pan-evropian ishte hapur në kryeqytetin serb të hënën, me organizatorët që shpresonin se do të shërbente si një masë progresi që nga viti 2001.

Por ndalimi i minutës së fundit nga policia të shtunën, në kulmimin e planifikuar të programit njëjavor, ka nxjerrë në qendër të vëmendjes luftën e vazhdueshme për barazi në Ballkan.

Tensionet kanë rrethuar ngjarjen që kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, njoftoi muajin e kaluar se EuroPride do të duhej të anulohej.

E gjitha nga frika se protestat e krahut të djathtë do të çonin në përleshje të dhunshme.

Atij i vinte keq, por përmendi një krizë të thelluar të sigurisë me Kosovën fqinje dhe presionet ekonomike mes arsyeve të tjera për shtyrjen e EuroPride në “kohë më të lumtura”.

Të dielën, demonstruesit kundër paradës, duke përfshirë klubet e motoçiklistëve, grupet fetare dhe nacionalistët e ekstremit të djathtë u mblodhën në kryeqytet “për martesën dhe familjen”.

Ata kërkonin që parada e EuroPride të ndalohej.

Por organizatorët nuk u dorëzuan. Për ta, qeverisë serbe i mungonte autoriteti ligjor për ta anuluar atë.

Dita e parë e ngjarjeve të planifikuara shkoi pa incidente të hënën, por të martën policia nxori një ndalim për paradën e së shtunës, si dhe çdo kundërprotestë.

Presidentja letoneze e Shoqatës së Organizatorëve Evropianë të Paradës së Krenarisë, Kristine Garina, ka thënë se organizatorët po apelonin kundër ndalimit në gjykata.

Sido që të jetë një tubim publik i një lloji do të zhvillohej të shtunën, sipas saj. “Gjithçka që na duhet është që sistemi ligjor të funksionojë në Serbi dhe të respektohet sundimi i ligjit”.

Beogradi u zgjodh në vend të Barcelonës, Dublinit dhe Lisbonës për të pritur EuroPride 2022.

Serbia, ku sindikatat e homoseksualëve nuk janë të ligjshme, përfaqësoi një kufi të ri për lëvizjen më të gjerë LGBTQ+, sipas Garina.

“Pasi EuroPride shkoi në Varshavë në vitin 2010 dhe Riga në vitin 2015, Beogradi dukej si një hap tjetër i natyrshëm për sa i përket të qenit politik dhe i ndërlikuar”, ka thënë ajo.

Dhe se shpresa kishte qenë “të ndryshonte të gjithë rajonin dhe më në fund të shtynte gjërat përpara në të drejtat e LGBTQ+ në Ballkan”.

Deri në këtë pikë rruga nuk ka qenë pa pengesa.

Aktivistët, pas vitit 2001, u përpoqën në mënyrë sfiduese të riorganizoheshin, por autoritetet komunale e anuluan vit pas viti, duke përmendur shqetësimet e sigurisë dhe duke pretenduar se nuk ishin në gjendje të mbronin sigurinë e pjesëmarrësve.

Por kur Serbia u bë kandidate për anëtarësim në BE në vitin 2009, qeveria u vu nën presionin e Brukselit për të provuar përkushtimin ndaj vlerave demokratike.

Organizatorët morën dritën jeshile në vitin 2010, por Parada e Krenarisë u dëmtua edhe një herë nga dhuna dhe trazirat e ekstremit të djathtë.

Garina ka kujtuar se asokohe Beogradi “dukej si një zonë lufte”.

Edhe pse me një prani të madhe policore, Parada e Krenarisë më në fund eci përpara në mënyrë paqësore në vitin 2014.

Vuçiç, një ish-radikal i ekstremit të djathtë, u bë kryeministër atë vit pasi moderoi politikën e tij dhe fitoi mbështetjen e BE-së.

Madje në vitin 2017, ai emëroi politikanen homoseksuale Ana Brnabiq si zëvendësuese të tij kur u bë president.

Megjithatë, në thelb, pak është bërë për komunitetin LGBTQ+ të Serbisë.

Partneritetet civile që u japin çifteve të të njëjtit seks të njëjtat të drejta si të martuarit, mbeten inekzistente.

Teksa aktivistët lokalë të ekstremit të djathtë duket se e kanë pranuar në heshtje humbjen, egërsia e kundërshtimit të tyre ndaj EuroPride zbulon se qëndrimet sociale nuk janë shumë të ndryshme nga viti 2001.

Kundërshtimi më i fortë dhe më i qëndrueshëm ndaj të drejtave të komunitetit LGBTQ+ në Serbi ka ardhur nga Dveri.

Është një parti e konservatorëve fetarë të së djathtës që shpesh organizon një “paradë të vlerave familjare” në ditën e Krenarisë së Beogradit si një formë kundër-proteste.

Këtë vit, partia loboi për një votim parlamentar për të ndaluar paradën dhe, kur kjo dështoi, organizoi protesta.

Sipas Dveri, fondet publike të akorduara për EuroPride duhet të ridrejtohen për trajtimin e fëmijëve të sëmurë.

“Mbi 85 për qind e qytetarëve serbë janë kundër promovimit të homoseksualizmit, kjo është çështja këtu”, ka thënë Andrej Mitic, sekretari i partisë.

“E konsiderojmë këtë si tirani të një pakice ekstreme që po përpiqet të imponojë vlerat e veta në kundërshtim me vlerat morale kolektive të shoqërisë”, ka vazhduar ai.

Mitic ka treguar se anëtarët e Dveri nuk ishin kundër të drejtave të njeriut ose ligjeve kundër diskriminimit që mbronin individët LGBTQ+ në vendin e punës, por se ata kundërshtonin “promovimin e homoseksualizmit ideologjik” që përfaqësonte parada.

Paçka se Dveri është një forcë e papërfillshme në politikën kombëtare, një shumicë e vendeve parlamentare mbahen nga partitë me prirje të djathtë që nuk kanë asnjë shtysë elektorale për të përmirësuar të drejtat e komunitetit LGBTQ+.

Një numër i madh i lëvizjeve me ndikim të ekstremit të djathtë kanë qenë të zëshëm në kundërshtimin e tyre ndaj EuroPride gjatë muajve të fundit.

Dhe kjo mund të ketë bërë që Vuçiç ta anulojë ngjarjen.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore