Lajme

Lufta e ardhshme mbi rregulloren e kriptove


Senatorët amerikanë, Kirsten Gillibrand dhe Cynthia Lummis, kanë publikuar të martën e 7 qershorit legjislacionin dypartiak, sipas të cilit synohet të qartësohet roli i aseteve digjitale në ekonominë e SHBA-ve.

Lëvizja shtron skenën për një debat më të madh, që ka të ngjarë të zhvillohet vitin e ardhshëm rreth mënyrës sesi do të rregullohen risitë financiare si kriptovalutat në Washington.

Deri më tani, disa e quajnë legjislacionin një projektligj pro-kriptomonedhës, ndoshta sepse synon të forcojë, në vend që të çmontojë, vendin e këtyre aseteve në ekonominë financiare.

Por jo të gjithë janë aq optimistë për teknologjitë e reja.

Një çështje, e cila është veçanërisht e diskutueshme, lidhet me përdorimin e energjisë për prodhimin e kriptove, e cila kontribuon në ndotjen dhe në zgjerimin e ngrohjes globale.

Administrata Biden do të publikojë një raport të shumëpritur në muajt e ardhshëm në lidhje me kërkesën për energji për kriptomonedha.

Pritet që nga Zyra e Politikës së Shkencës dhe Teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë (OSTP) në gusht, në varësi të përmbajtjes, të shohim rregullim shumë më të rreptë të përdorimit të energjisë së aseteve kripto në vijimësi.

Makineri për prodhimin e kriptove

Raporti është një rezultat i një urdhri ekzekutiv të marsit nga Presidenti Biden, i cili ngarkoi agjencitë në të gjithë qeverinë të eksploronin çështje të shumta që rrethojnë industrinë e re.

Nga pikëpamja thjesht ekonomike, përdorimi i lartë i energjisë në vetvete nuk është problem, të paktën për sa kohë që përfitimet janë të mjaftueshme për të tejkaluar kostot. Megjithatë, mund të ketë edhe mënyra që, me më pak energji intensive, të arrihet i njëjti rezultat.

Minierat e kriptove janë me të vërtetë pjesa e sektorit me përdorim të lartë të energjisë.

Minatorët digjitalë vërtetojnë transaksionet, duke zgjidhur enigma të ndërlikuara dhe kjo shpesh kërkon fuqi të konsiderueshme llogaritëse.

Megjithatë, minatorët janë një grup i larmishëm dhe i decentralizuar, të cilët nuk janë domosdoshmërisht në komunikim të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin.

Raporti i ardhshëm i OSTP-së do të japë njëfarë qartësie mbi këto tema, duke përfshirë një grup transparent kriteresh që rrethojnë atë që përbën përdorim të arsyeshëm të energjisë. Por edhe nëse identifikohet një problem, nuk është aspak e qartë se cili duhet të jetë hapi tjetër.

Bitcoin është përdoruesi më i madh i energjisë në mesin e kriptomonedhave, duke qenë se është më i popullarizuari dhe përdor procesin e verifikimit të “provës së punës” me energji më intensive.

Tashmë, edhe pa rregullore, konkurrentët e Bitcoin si Ethereum po kalojnë në metoda më progresive, të cilat përdorin shumë më pak energji.

Kriptovalutat e tjera, me siguri, do të ndjekin shembullin.

Inputet e energjisë që nevojiten për të fuqizuar industrinë e kriptove janë të konsiderueshme dhe nuk ka dyshim se një sistem më efikas do të ishte ideal.

Por, duke pasur parasysh natyrën e decentralizuar të industrisë, pasigurinë se ku po shkon dhe karakterin e saj inovativ, me zhvillim të shpejtë, rregullimi i sektorit do të jetë veçanërisht sfidues.

Legjislacioni nga Senatorët Gillibrand dhe Lummis, së bashku me raportin e ardhshëm të Administratës Biden mbi përdorimin e energjisë, mund të ndihmojnë në çuarjen përpara këtij debati.

Çfarëdo që të ndodhë, rregullatorët do të ishin të mençur që të vazhdonin me kujdes.

Marrë nga Forbes, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore