Kosova

“Lufta akademike” – Të pakënaqurit e ASHAK-ut s’i kanë votat për rrëzimin e Mehmet Krajës


Foto nga Albanian Post, Mehmet Kraja

Pas një shkrimi të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, të publikuar kundër-rregullave në faqen e Akademisë, një grup akademikësh fillimisht u distancuan nga shkrimi e më pas filluan procedurat për shkarkimin e Krajës, por Albanian Post kupton nga burimet brenda Akademisë se ai nuk do të mund të lëvizet nga pozicioni, sepse nuk ka vota mjaftueshme për ta shkarkuar.

Ishte një nga Akademikët, Muhamedin Kullashi, që artikuloi pakënaqësitë me Krajën, të cilat tejkalojnë shkrimin e fundit.

“Është koha më në fund pas problemeve që ka një kohë që janë të pranishme në Akademi lidhur me veprimet e kryetarit”, deklaroi Kullashi, duke shtuar se shkrimi i fundit “nuk ishte një punim shkencor, ishte pa asnjë fusnotë dhe shumë i dobët”.

“Pikërisht pse nuk është tekst serioz askush nuk e ka marrë përsipër ta mbështes, ai megjithatë e ka botuar në faqet të akademisë si tekst të akademisë”.

Shkrimi i fundit i Krajës me titull “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, ishte shkruar në formë të opinionit, pa referenca, pa citime dhe i ndërtuar nga përshtypjet subjektive të autorit.

Prandaj, Seksioni i Shkencave Shoqërore, ku takon edhe Kullashi, mblodhi nënshkrime për të larguar Krajën.

Gjithsesi, nga sa ka kuptuar Albanian Post, përveç votave nga ky seksion i Akademisë, seksione të tjera nuk do ta mbështesin këtë propozim.

Në Kuvendin e Jashtëzakonshëm me vetëm një pikë në rendin e ditës, atë të “shkarkimit të Mehmet Krajës nga pozita e kryetarit”, akademikët e Seksionit të Shkencave Shoqërore do të argumentojnë përse duhet të largohet Kraja.

Por, Albanian Post kupton se ata nuk e kanë përkrahjen nga Seksioni i Gjuhës dhe Letërsisë, Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Seksioni i Arteve.

Ky votim pritet ta përçarje akoma më shumë ASHAK-un duke rritur ndarjet dhe etabluar “modelin e armiqësive”.

Prej kohësh Akademia funksionon e ndarë në rryma dhe me fokus kryesor ndarjen e pushteteve jo formale.

Një nga më të fuqishmit, që është në përkrahje të Krajës, është edhe akademiku Rexhep Qosja.

Shkrimtari Qosja përkundër se nuk shihet në Akademi pothuajse asnjëherë fizikisht, sepse nuk punon nga zyra e tij në objektin e ASHAK-ut, vazhdon të kontrollojë një pjesë të konsiderueshme të akademikëve.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka gjithsejtë 38 anëtarë. 23 prej tyre janë anëtarët të rregullt, kurse pjesa tjetër me korrespodencë.

Mehmet Kraja është anëtar i Akademisë nga viti 2005.

Në periudhën 2008-2014 ishte sekretar i Seksionit të Gjuhës dhe Letërsisë, kurse nga viti 2019 është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Kraja ka të botuara disa romane dhe drama, por përkundër se kryetar i Akademisë nuk ka të botuar asnjë publikim shkencor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore