Lajme

LSV e Vojvodinës – thirrje që pasuesit e “Millosheviçit dhe Sheshelit” të japin përgjegjësi për luftërat e 90-tave


Lëvizja e Social Demokratëve të Vojvodinës

Në rastin e 21 vjetorit të protestave të mëdha në Beograd për rrëzimin e “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviç nga pushteti, ku opozita e bashkuar e përbërë nga një grup prej 18 partish, protestoi ashpër me 5 tetor në vitin 2000, Lëvizja e Social Demokratëve të Vojvodinës përmes një reagimi bëri thirrje për ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për luftërat e viteve të 90-ta në ish-Jugosllavi.

“Mbetjet e Millosheviçit dhe të Sheshelit ende shpërndajnë urrejtje sikurse në vitet e 1990-ta. Kriminel të dënuar të luftës ende bëjnë paradë në media, dhe tani edhe po dalin rrugës e po kërkojnë lirimin e vrasësve të Zoran Gjingjiç”, shkroi LSV-ja.

Sipas kësaj lëvizje politike, ata që janë përgjegjës për luftërat e përgjakshme, ende nuk kanë dhënë përgjegjësi për ato.

“Kjo është disfata më e madhe ndaj demokracisë në Serbi. Sot po jetojmë ende pasojat e asaj distafe. LSV beson ende në një Serbi evropiane dhe moderne. Ne besojmë se Serbia ka ende shans”, deklaroi Lëvizja social-demokrate.

Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës kujton se në vitin 2000, ajo bëri thirrje për lustrimin e të gjithë individëve që morën pjesë në shkatërrimin e shtetit të Serbisë dhe shkeljen e të gjitha të drejtave të qytetarëve gjatë sundimit të Millosheviçit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore