Zgjedhjet në Shqipëri

LSI kërkon pezullimin e vendimit të Komitetit Teknik për karantinën dyjavore për emigrantët


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, ka dorëzuar në Gjykatën Administrative të Tiranës një kërkesë për pezullimin e “zbatimit të vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve të datës 19.04.2021, për vendosjen në karantinë dy javore të shtetasve shqiptarë që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia”.

Sipas Kryemadhit, vendimi i Komitetit Teknik bie ndesh me Kushtetutën, pasi kjo e fundit “parashikon se të drejtat dhe liritë e njeriut, pluralizmi, janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë ato”.

Në kërkesë shkruhet se me vendosjen e karantinës dyjavore për shtetasit që vijnë nga Greqia apo Maqedonia e Veriut, iu është mohuar e drejta kushtetuese që të votojnë.

Komiteti Teknik, të hënën, vendosi karantinë dyjavore për të gjithë personat që do të udhëtojnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë.

Kjo masë, do të zgjasë deri më 3 maj.

Për Albanian Post, kandidati për deputet në qarkun e Korçës, Petrika Mele, tha se vendimi për karantinën dyjavore të emigrantëve të ardhur nga Greqia apo Maqedonia e Veriut “është një vendim arbitrar dhe në shkelje të kushtetutës”.

Sipas tij, vendimi është tërësisht politik, pasi Edi Rama është “i tmerruar nga vota kundër, si brenda dhe jashtë kufijve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore