Zgjedhjet në Shqipëri

LSI ankimon në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KAS-it për Qarkun e Beratit


Lëvizja Socialiste për Integrim, të mërkurën e 26 majit, me anë të një kërkesë ka ankimuar pranë Kolegjit Zgjedhor vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) për Qarkun e Beratit.

LSI-ja me anë të shkresës zyrtare kërkon rrëzimin e vendimit të KAS-it.

Ky vendim i LSI-së ka ardhur pasi KAS rrëzoi kërkesën për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun e Beratit.

Janë rinumëruar në tërësi 114 kuti të këtij Qarku. Pas publikimit të rezultateve të rishikuara, asgjë nuk ndryshoi në kontekstin e mandateve. Pesë do të marrin socialistët dhe dy demokratët.

Nëse Kolegji Zgjedhor lë në fuqi vendimin e KAS-it, atëherë rezultati nuk ka më mundësi për t’u shqyrtuar.

Janë dhjetë qarqet e ankimuara nga PD-ja dhe LSI-ja për zgjedhjet e 25 prillit.

Prej tyre, shqyrtimi ka mbaruar për Qarkun Gjirokastër. Për këtë të fundit LSI-ja e ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KAS-it.

Gjatë kësaj dite ka nisur rinumërimi për Qarkun e Durrësit.

Të vetmet qarqe ku nuk ka kërkesë shqyrtimi, janë Kukësi dhe Dibra. Të dy këto qarqe, kanë nxjerrë shumicë mandatesh demokrate karshi atyre socialiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore