Shqipëria

LSI akuzon për hetim të njëanshëm të dosjes 184


Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) akuzoi organet e reja të drejtësisë se po mbrojnë qëllimisht Partinë Socialiste  duke kryer  një hetim të njëanshëm për dosjen 184 duke ngritur akuza dhe për deklaratat e ambasadorëve.

“SPAK-u është sot kaq mbrapa dhe zhgënjyes dhe s’ka asnjë krahasim me Prokurorinë e dikurshme të Krimeve të Rënda. Prokuroria e Re është shndërruar në një mbyllëse e palodhur çështjesh dhe justifikuese e qeverisë më e zellshme se qeveria vetë”, shkruan nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në median sociale Facebook.

Vasili  shprehu indinjatën  për  deklaratat e ambasadorëve në Shqipëri në raport me dosjen 184.

“Zhgënjimin ndaj Drejtesisë së Re nuk e mbulon dot asnjë deklaratë propagandistike Ambasadorësh, të cilët për të justifikuar miliona euro të hedhura dëm, duan me një insisistim qesharak të shesin kallpin per flori”, tha ai.

Dosja 184, e njohur edhe si dosja e vjedhjes dhe shit-blerjes së votave denonconte  zgjedhjet e vitit 2016, në Dibër. Kjo dosje u denoncua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në përgjime përfshihen edhe deputetë socialistë në biseda me policinë, biznesmenë, persona të dyshimtë dhe të tjerë të paidentifikuar, të cilët janë marrë me shit-blerjen e votave në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e vitit 2016, në Dibër. Në këtë dosje gjenden edhe  përgjime të deputetëve Damian Gjiknuri si edhe të Artan Gaçit, i cili askohohe ishte deputet  dhe ndër të tjera  bashkëshort i  ministres së mbrojtes Olta Xhaçka. 

Prokuroria ngriti akuza  mbi katër persona për “shpërdorim detyre” dhe “kanosje të zgjedhësve”, ndërkohë që për pjesën tjetër të personave nën hetim kërkoi pushimin e  çështjes  për shkak të tejkalimit të afatit trevjeçar nga prokuroria e Dibrës.

Që prej muajit korrik,  në 2019-ën,  dosja 184  kaloi si boomerang nga Prokuroria e Dibrës në Prokurorinë e Tiranës, më pas në Prokurorinë e Krimeve  të Rënda Tiranë dhe në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku kjo e fundit  nuk pranoi ta shqyrtonte  duke ia kaluar sërish në kompetencë Prokurorisë së Dibrës. /AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore