Kosova

LSDM për incidentin e Osmanit në aeroport: S’duhet të anashkalohet, i kemi të gjitha informacionet


Selia e LSDM-së

Lidhja Socialdemokrate (LSDM), ka thënë se incidenti me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit, nuk duhet të anashkalohet, derisa kanë theksuar se për këtë ngjarje i kanë të gjitha informacionet.

Nga partia më e madhe opozitare në Maqedoni të Veriut kanë theksuar se presin që në një kohë sa më të shkurtër Ministria e Punëve të Brendshme dhe kontrolli i brendshëm të dalin me informata të hollësishme për opinionin se çfarë saktësisht ka ndodhur në aeroport.

MPB-ja, kanë theksuar nga LSDM-ja, duhet të informojë se cili ishte roli i personave nga sigurimi i Kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi dhe në përputhje me ligjet të iniciojë procedurë ndaj shkelësve të autorizimeve.

“Nëse nuk e bën këtë, do të jetë një konfirmim i qartë se faktet po fshihen për të mbrojtur marrëdhëniet ndërkoalicionesh. LSDM ka informacione të plota se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe nëse MPB-ja tenton të plotësojë faktet, gjithçka do të publikohet. Hetimi i këtij rasti nuk duhet të paraqesë asnjë problem për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë sepse aeroporti është nën vëzhgim të plotë me video dhe pa problem mund të konstatojnë të gjitha detajet, thuhet në njoftim.

Nga kjo parti potencojnë se në këtë situatë skandaloze pushteti, VMRO-DPMNE-ja dhe kryeministri Hristjan Mickoski, heshtin.

“Sa ishin në opozitë, histeria që ngritën ishte e padurueshme, por tani janë fshehur në një vrimë miu dhe shpresojnë që kriza t’i kalojë. Ministria e Brendshme në vend që të informonte në mënyrë transparente menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në mëngjes, priti që mediat të zbulonin ngjarjen për të nxjerrë një njoftim të shkurtër për publikun”, theksohet ndër të tjera në reagimin e LSDM-së.

Presidenca kërkon trajtim urgjent për incidentin e Osmanit në Shkup: Deklaratat e MPB-së maqedonase të papranueshme

Në lidhje me këtë incident, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër, Zyra e Presidencës është shprehur e indinjuar me deklaratat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët kanë thënë se kur presidentes Osmani, i është kërkuar telefoni i saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj ka kërkuar që ajo të kalonte pa u skanuar fare.

Këto deklarata nga Presidenca e Kosovës i kanë vlerësuar si të papranueshme.

“Presidenca e Kosovës shprehë indinjatën për deklarimet e papranueshme të MPB të Maqedonisë së Veriut si dhe për propagandën që po zhvillohet kundër Republikës së Kosovës në disa media të Maqedonisë së Veriut sa i përket incidentit të paprecedentë kundër Presidentes Osmani dje në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit”, thuhet në komunikatë.

Aty theksohet se edhe me rekomandime të institucioneve të sigurisë, veprimi i presidentes ka qenë i duhur.

Ndërsa, në një reagim të së premtes, nga aeroporti i Shkupit, përkatësisht kompania që e ka nën menaxhim, kanë theksuar se janë udhëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase që ta kontrollojnë presidenten Osmani.

Në reagim e tyre, ata edhe e mohuan që kanë tentuar t’ia marrin telefonin presidentes Osmani.

“Ne i hedhim poshtë kategorikisht akuzat se punonjësi ynë nga departamenti i sigurisë ka tentuar të marrë telefonin. Telefoni i është kërkuar për t’iu nënshtruar kontrollit (skriningut) të detyrueshëm të sigurisë përmes aparatit me rëntgen”, thanë nga aeroporti i Shkupit.

Reagim pati edhe nga koalicioni “VLEN”.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet një komunikate për media kanë potencuar se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kompetencë mbi sigurinë e aeroportit.

Kjo ngjarje është cilësuar si një skandal diplomatik, derisa ka pasur reagime të shumta si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni të Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore