Shqipëria

Loreen fiton Eurovision për të dytën herë, Albina Kelmendi në vend të 22-ë


Është suedezja Loreen fituesja e festivalit më të madh muzikor kontinental për vitin 2023, me një rikthim të fuqishëm falë baladës së saj elektronike “Tattoo”, duke përsëritur kështu edhe suksesin që arriti në Eurovision 2012 me këngën “Euphoria”.

Loreen në këtë formë bëhet edhe e para artiste femër, e cila fiton për më shumë se një herë festivalin e madh evropian të këngës.

Në vend të dytë, në një përmbyllje të tensionuar për nga emocionet të natës finale, u radhit artisti finlandez Kaarija me këngën e tij “Cha Cha Cha”, i cili pavarësisht se nuk e riktheu dot trofeun në vendin nordik, rezultoi të ishte muzikanti më i pëlqyer nga publiku votues.

Albina Kelmendi dhe familja e saj, të cilët përfaqësuan Shqipërinë ndërkohë, kanë arritur të renditen vetëm në vendin e 22-ë në garë, duke treguar edhe një herë se Shqipëria është larg ditëve të saja më të mira sa i takon muzikës në rangje të larta.

Treshen e podiumit, e plotësoi izraelitja sensuale Noa Kirel, e cila ishte po ashtu një prej të preferuarave të publikut të gjerë.

Një zhgënjim tërësor ka qenë ai i Britanisë së Madhe organizatore, e cila vetëm e 25-a u rendit, duke vërtetuar ngërçin e të mëdhave të Eurovision, prej të cilave më e qëndrueshmja ka qenë Italia ndër vite.

Pavarësisht kësaj, ishullorët e faktuan se kur vjen puna te organizimi i spektakleve të përmasave të tilla, pakkush ka aftësinë t’i realizojë si ata, me një moderim dhe atmosferë për t’u pasur zili nga bota mbarë.

Suedia ndërkohë, me fitoren e shtatë tashmë në Eurovision, barazon edhe rekordin e të gjitha kohërave, të cilin më parë e mbante të mbërthyer e vetme në krye Irlanda e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore