Momente

Loma vs Haney në… Twitter


Talenti ukrainas Vasiliy Lomachenko ka qenë pjesë e një shkëmbimi fyerjesh në Twitter me boksierin amerikan Devin Haney.

Pasi u mposht nga Teofimo Lopez më 17 tetor 2020 dhe pasi iu “rrëmbyen” titujt e tij të mëparshëm – ai i WBA-së (Shoqëria Botërore e Boksit), WBO-së (Organizata Botërore e Boksit) dhe ai i revistës “Ring”, Loma është stepur nga skena e boksit ndërkombëtar – thuajse krejt i zhdukur.

Haney fitoi një muaj më vonë kundër Yuriorkis Gamboa dhe mbrojti titullin e WBC-së (Këshilli Botëror i Boksit).

Por, veç faktit se Haney ka 25 fitore rresht dhe asnjë humbje duke u renditur si një ndër boksierët më të mirë për momentin në peshat e lehta, Loma, edhe pse ka dy humbje, vazhdon të cilësohet si një ndër më të mirët e të gjithë kohërave.

Sidoqoftë, 22-vjeçari amerikan nuk ka frikë dhe e nisi këtë duel në Twitter me: “Ku është Loma?!?!?”

Loma i përgjigjet me ashpërsi dhe mprehtësi: “Jam këtu! Po pres që ju burracakë të sosni luftën në Twitter e të vendosni të luftoni prej vërteti”.

Haney ia kthen: “Pritja nuk do të ishte basti më i mirë për ty. Mendoj se e mësove këtë nga ndeshja kundër Teo-s (Teofimo Lopez)”.

Loma nuk e kursen “shuplakën” me fjalë drejtuar rekordit të Haney-t: “Pritja është aktiviteti yt i preferuar, sepse ende nuk ke luftuar me askënd”.

Por Haney tha fjalën e fundit në këtë shkëmbim: “Pa dyshim që mezi prisja të luftoja me ty kur u zgjodha si sfidant i detyrueshëm, ndërsa ti e shmange dhe zgjodhe Titullin e Ekskluzivitetit!”

Kategoria e peshave të lehta dominohet nga disa prej emrave më premtues të botës së boksit: Teofimo Lopez, i cili konsiderohet si një ndër më të mirët, në mos më i miri i kësaj kategorie pasi mposhti Loma-n, Ryan Garcia dhe Gervonta Davis.

Hondurasi Lopez konsiderohet numri një i peshave të lehta, pasi unifikoi titujt e WBA-së, WBO-së dhe IBF-së (Federata Ndërkombëtare e Boksit) në fitoren me vendim unanim kundër Lomachenko-s.

Vasiliy është më i vjetri (33 vjeç) midis grupit të të rinjve të talentuar në këtë kategori, por mbetet boksieri më i plotësuar. Dy medalje ari në Olimpiadë dhe vetëm një humbje në 396 fitore si boksier amator – në çka konsiderohet rekordi më i mirë i të gjithë kohërave të boksit amator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore