Sport

Lojtarët me më shumë paraqitje në El Clasico?


Ndeshjet midis Real Madrid-it dhe Barcelona-s janë gjithmonë të veçanta dhe disa nga lojtarët e të dy ekipeve kanë përvojë të gjatë në El Clasico.

Real Madrid-i dhe Barcelona do të përballen të shtunën. Por, cilët janë lojtarët me më shumë paraqitje në një ndeshje të tillë?

Lojtari madrilen me më shumë përballje ndaj Barcelona-s është Sergio Ramos-i. Kapiteni ka që nga 2005 në Madrid dhe numëron 45 ndeshje kundër katalanasve.

Ai është lojtari me më shumë paraqitje në El Clasico, por nuk do të jetë në gjendje të thellojë rekordin ditën e shtunë, pasi është i dëmtuar.

Pas Ramos-it, lojtarët e tjerë me më shumë paraqitje janë: Paco Gento dhe Manolo Sanchis-i, të cilët kanë luajtur nga 42 herë përballë Barcelona-s.

Ish-kapitenët e Real-it, Iker Casillas-i, Raul Gonzalez-i dhe Fernando Hierro u përballën nga 37 herë me katalanasit. Ndërsa, Michel-i, pati 34 paraqitje kundër Barcelona-s.

Në krahun tjetër, Lionel Messi është lojtari me më shumë ndeshje në El Clasico, 44 të tilla, duke qenë edhe shënuesi më i mirë i përballjeve, me 26 gola.

Pas tij vijnë Xavi Hernandez-i me 42 ndeshje, Sergio Busquets-i me 39, Andres Iniesta me 38 dhe Gerard Pique me 36.

Eder Militao pritet të debutojë në El Clasico, pasi më parë ka qëndruar në stol. Por, mungesat e Ramos-it dhe Raphael Varane-s i hapin rrugë brazilianit për një vend në formacion.

Ndërsa, te Barcelona pritet të debutojë Oscar Mingueza, që do të ketë një ndeshje të vështirë, pasi do t’i duhet të frenojë Karim Benzema-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore