Sport

Lojtarët e Manchester United duan që Ronaldo të largohet para përfundimit të Botërorit


Bashkëlojtarët e Cristiano Ronaldo-s te Manchester United duan që ai të largohet nga klubi para përfundimit të Kupës së Botës, pas intervistës së tij tronditëse.

Gjatë ditëve të fundit, biseda e Ronaldo-s me mikun e tij të mirë në “Talk Tv”, Piers Morgan, ka qenë në të gjitha faqet e lajmeve për natyrën e saj shpërthyese.

Ndjenja në mesin e skuadrës është se do të ishte më mirë nëse United të gjejë një mënyrë për të shkarkuar Ronaldo-n ndërsa ai është në Kupën e Botës dhe ylli 37-vjeçar të mos kthehet në “Old Trafford”, shkruan “DailyMail”.

Humori nuk do të jetë përmirësuar pas transmetimit të parë të takimit të Ronaldo-s me Piers Morgan të mërkurën mbrëma, ku ai kritikoi qëndrimin e lojtarëve të rinj të United dhe tha se vetëm bashkëlojtari i tij në Portugali, Diogo Dalot, është i destinuar për një karrierë të gjatë në krye.

“Uria e tyre [është e ndryshme]. Mendoj se ata i kanë gjërat më lehtë, gjithçka është e lehtë, nuk vuajnë – dhe nuk u intereson”, tha Ronaldo.

“Nëse më tregoni se çfarë shoh në Manchester United, mund të përmend Diogo Dalot. Ai është i ri, por është shumë profesionist dhe nuk kam asnjë dyshim se do të ketë jetëgjatësi në futboll”, shtoi ylli portugez në intervistën e tij shpërthyese.

“Ne kemi disa të tjerë – ndoshta Lisandro Martinez – por si Dalot është e vështirë të thuhet”.

Ronaldo konfirmoi se ishte “afër” t’i bashkohej Manchester City-t përpara se United ta kthente atë në vitin e kaluar, vuri në dyshim vendimin e klubit për të shkarkuar Ole Gunnar Solskjaer dhe ishte i ashpër për idetë e zëvendësuesit të norvegjezit, menaxherit të përkohshëm Ralf Rangnick.

“Trajnerët e rinj që vijnë, mendojnë se kanë gjetur Coca Cola-n e fundit në shkretëtirë”, shtoi ai.

Pikëpamjet e hapura të Ronaldo-s për Ten Hag do të transmetohen në pjesën e dytë të intervistës të enjten mbrëma, por bashkëlojtarët e tij besojnë se ai ka tradhtuar Ten Hag-un dhe klubin, jo anasjelltas siç pretendon ai.

Raphael Varane ishte lojtari i parë i United që foli për Ronaldo-n të mërkurën, duke thënë: “Natyrisht që kjo ndikon tek ne. Ne ndjekim atë që po ndodh. Ne përpiqemi ta qetësojmë situatën në mënyrën tonë dhe të mos përfshihemi shumë.

“Kur është një yll si Cristiano, aq më tepër ne përpiqemi ta marrim me distancë, domethënë nuk përpiqemi të ndryshojmë situatën vetëm, ne jemi pjesë e një kolektivi”, ka thënë francezi.

“Ajo që dua është më e mira për ekipin tim, kështu që çfarëdo vendimi që të marrë klubi, ne do ta pranojmë atë”, ka thënë Varane.

Ronaldo, i cili mungoi në dy ndeshjet e fundit të United për shkak të sëmundjes, mungoi në seancën stërvitore të Portugalisë në Lisbonë të mërkurën për shkak të një dhimbje në stomak dhe nuk do të paraqitet në ndeshjen miqësore që Portugalia e zhvillon ndaj Nigerisë.

Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme, drejtuesit e United-it e larguan posterin gjigand të portugezit nga muret e stadiumit “Old Traford”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore