Lajme

Loja e Vuçiç-it në të cilën kanë rënë pa dashje politikanët shqiptarë të Luginës


Shaip Kamberi dhe Aleksander Vucic

Me 3 prill janë mbajtur zgjedhjet në Serbi, por Kuvendi ende nuk është konstituuar dhe ka gjasë që kjo situatë të vazhdojë.

Fituesi dihet. Është presidenti aktual, Aleksnadër Vuçiç dhe partia e tij, Partia Progresiste SNS. Por, shpalljen e rezultatit zyrtar po e parandalon një vend votim – ai në Tërnoc, në Luginë të Preshevës.

Atje janë caktuar katër herë zgjedhjet deri më tani dhe me gjasë do të mbahen edhe për të pestën herë. Janë në garë Shaip Kamberi nga Aleanca e Shqiptarëve dhe Partia Socialiste e Ivica Daçiç.

Në Tërnoc dilet votohet, pastaj zgjedhjet anulohen për parregullsi. Herë i anulon Komisioni zgjedhor e herë gjykata kthen vendimin e komisionit. Çka një herë u mendua si një dëshirë e shtetit serb për të pasur zgjedhje fer, po del të jetë lojë e Vuçiç.

“E gjithë farsa rreth zgjedhjeve në Tërnovc të Madh është e mirë për aktorët kryesorë politikë, para së gjithash e kam parasysh SNS-në dhe presidentin Vuçiç, për të zgjatur formimin e Qeverisë”, thotë politologu nga Institutit për Studime Politike në Beograd, Dejan Bursaç.

Kjo për arsye se Vuçiç dëshiron që sa më shumë ta shtyjë formimin e qeverisë së re “parë për të zgjatur vonimin në rreshtimin e politikës së jashtme, d.m.th. për të shtyrë vendosjen e sanksioneve të mundshme kundër Rusisë, ashtu siç ia ka kërkuar perëndimi”.

Përpjekja e katërt për mbajtjen e zgjedhjeve në vendvotimin në Tërnovc të Madh, komuna e Bujanocit, dështoi për shkak të një diskutimi në mes anëtarëve të këshillit zgjedhor – kryesisht përfaqësues të SPS-së dhe Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, për këtë arsye qendra e votimit nuk u hap.

“Tani po bëhet tragjikomike dhe krejt e qartë ajo që po ndodh atje. Procesi do të duhet të përfundojë, por ata po blejnë kohë. Do të duhet të paktën një muaj për të përfunduar procesin para rezultateve zyrtare të zgjedhjeve. Edhe nëse çdo gjë përfundon në votimin e radhës, komisioni komunal i zgjedhjeve duhet t’i procedojë rezultatet, kështu që ka një periudhë për ankimime në Gjykatën Administrative. Dhe që e gjithë kjo të përfundojë pozitivisht, pas kësaj kemi një afat prej 30 ditësh për konstituimin e parlamentit dhe 90 ditë të tjera për zgjedhjen e Qeverisë, teknikisht mund të jetë dhjetori muaji kur Serbia do ketë qeveri të re”, thekson Bursaç.

“E gjithë kjo është në dobi të Vuçiç-it që ai të shfrytëzojë faktin se nuk kemi qeveri si justifikim për mos vendosjen e sanksioneve dhe nëse vendosen sanksione para se të formohet qeveria e re, ai nuk do të mund ta formojë atë. Argumenti i Vuçiç-it do të jetë se nuk ka shumicë, megjithëse të gjithë e dimë se do të ketë shumicë, por ai mund të pretendojë se do të duhet të shkojmë në zgjedhje të reja dhe ato do t’i fitojë një opsion krejtësisht prorus”.

Shaip Kamberi

Kjo është pra karta me të cilën Vuçiç luan me perëndimin, derisa “nga fakti se e gjithë kjo po ndodh në Tërnovc, në një mjedis multietnik në Serbi, apo në një mjedis shqiptar, përfiton prapë Vuçiç, sepse çdo presion për t’i dhënë fund kësaj dhe për të njohur këto rezultate do të binte ndesh me rritjen e përfaqësimit dhe integrimit të pakicës shqiptare dhe ndoshta disa aktorëve ndërkombëtarë pro-demokracisë”.

Nëse fiton Shaip Kamberi në këtë pikë votuese, ai përsëri do të jetë deputeti shqiptar në Parlamentin serb, nëse humbë, shqiptarët do të mbesin pa përfaqësues në nivel qëndror.

Por, përkundër kësaj, për shkak të lojës së Vuçiç, shumë veta kanë kërkuar tërheqjen e shqiptarëve nga kjo garë, që të mos bien preh e lojërave të presidentit serb.

Megjithatë, deri tani, Kamberi nuk është deklaruar se janë gati për të marrë një hap të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore