Film

Loja e imitimit dhe Alan Turing


Para filmit “The Imitation Game” (2014) me regji të Morten Tyldum dhe të shkruar nga Graham More, historia tragjike dhe e lavdishme e gjeniut matematikan Alan Turing, pëshpëritej vetëm nëpër salla shkencore, dokumentarë shkencorë, skena dramatike nëpër teatro, në libra fiksion, dhe universitete.

“Los Angeles Times”, Graham Moore, skenaristi i filmit “The Imitation Game”, kishte shkruar:

“A e dini se njeriu që fshehurazi e shpiku kompjuterin ishte gay? Ose që gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ishte rekrutuar nga M16 për të thyer kodet e komunikimit të nazistëve? Gjë të cilën ai e bëri duke shpikur makinën revolucionare, me të cilën Aleatët fituat luftën? Vetëm se pastaj, krejt kjo u bë sekret shtetëror? Dhe pastaj qeveria kuptoi se ishte gay, e arrestoi, u persekutua nga vendi, të cilin ai e shpëtoi nga nazizmi, deri sa kreu vetëvrasje?”

Alan Turing prej një heroi të studentëve të shkencave matematikore, është kthyer edhe në hero të kinematografisë. Është vështirë të përmbledhen kontributet e Alan Turning-ut në civilizimin bashkëkohor.

Ai e ka ndërruar njëherë e përgjithmonë matematikën, kriptografinë, llogaritjet universale të kompjuterëve, qasja e tij ndaj inteligjencës në makineri, atë që ne sot e quajmë inteligjencë artificiale, dhe persekutimin e tij për orientimin e tij seksual që ka treguar bllokadat e drejtësisë shoqërore dhe politike.

Përveç disa të metave historike në film, dhe përshkrimit të karakterit të Turing-ut, “The Imitation Game” është pritur mirë nga kritikët e filmit.

Alan Turing është quajtur inxhinier dhe filozof i pretendimeve. Në artikullin e tij “Computing Machinery and Intelligence”, të publikuar në revistën Mind, ai e shtron pyetjen “A mund të mendojnë makinat?”

Propozimi i Turing ishte mendimi ose inteligjenca të bëhej përmes një imitimi. Loja e imitimit që ai kishte propozuar ishte një metodë eksperimentale ku njerëzit komunikonin përmes tele-shkrimit me një makinë, me dyer të mbyllura, dhe secili mundohej ta bindte tjetrin se në fakt ky/ai ishte njeri.

Sikurse në teatër, që aktori bind me efektet që krijon në audiencë e jo për logjikën që përfaqëson, edhe inteligjenca artificiale do të bindte duke krijuar efektin e të qenit njeri. Të qenit inteligjent është të vepruarit si njeri e jo domosdoshmërisht të operosh si i tillë. Kjo ishte ideja e matematikanit Alan Turing, dhe filozofia e tij e mendjes.

Për Turing, kompjuteri ishte “një makinë e veçantë që funksionon duke pretenduar se është një makinë tjetër”, dhe e gjithë logjika operuese e inteligjencës si njerëzore edhe asaj artificiale funksiononte përbrenda kësaj filozofie pretendimi.

“Ndonjëherë njerëzit për të cilët kurrë nuk mund të paramendosh asgjë për ta, bëjnë gjëra të cilat askush kurrë s’mund t’i paramendojë”, shkruan Alan Turing, thënie kjo që përshkruan më së miri personin e tij shkencor dhe filozofik.

Në 1999 gazeta Time e emëroi Turing-un në “100 Njerëzit më të Rëndësishëm të shekullit 20”, për rolin e tij në shpikjen e kompjuterëve dhe redaktorët shkruan se “fakt mbetet se secili që shkruan në një tastierë, që hap një fletllogaritëse, ose një program fjalë-procesues, është duke punuar në një inkarnim të makinës Turing”.

Në 1954 Turing kreu vetëvrasje, pas një jete tragjike persekutimi për orientimin e tij seksual, nga vendi që ai vetë e shpëtoi prej nazizmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore