Shqipëria

Logot e partive do të jenë në fletën e votimit për kryetar bashkie, përcakton Kolegji Zgjedhor


Kërkesa e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, sa i takon heqjes së logove të partive politike në fletën e votimit, është rrëzuar përfundimisht nga Kolegji Zgjedhor.

Kështu, në fletët ku votohet për kryetar të bashkive, do ta mbajnë edhe logon e partisë apo koalicionit që i mbështet në zgjedhje ata.

Më 18 prill, ishte koalicioni Bashkë Fitojmë, bashkëdrejtuar nga Sali Berisha dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ai i cili paraqiti kërkesën në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve.

Vetë KAS këtë gjë e rrëzoi, duke i lënë rrugë dërgimit të çështjes në Kolegj.

Tre arsye konkrete, janë paraqitur nga Bashkë Fitojmë, sa i takon pretendimit.

Së pari jemi përpara zgjedhjeve të pushtetit vendor, ku qytetarët shqiptar do të zgjedhin kryetarin e tyre të bashkisë respektive dhe jo kryetarin e ndonjë partie politike.

Së dyti, nuk jemi përpara zgjedhjeve të përgjithshme ku kandidatët identifikohen kryesisht me partinë apo koalicionin që i ka propozuar me listë shumë emërore.

Së treti, praktika e KQZ për zgjedhjet e kaluara për fletën e votimit për kandidatët për kryetar Bashkie ka qenë e tillë që nuk ka pasur logo partie apo koalicioni.

Kështu shkruhej në kërkesën e paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Mirëpo, në realitet, është konflikti rreth përdorimit të simboleve të Partisë Demokratike, përçarësi i vërtetë i situatës.

Duke qenë se Berisha nuk arriti të kishte legjitimitet sa i takon përdorimit të logos së PD-së, si kryetar jo i ligjshëm i forcës së djathtë politike, i takoi Enkelejd Alibeajt si kryetar i komanduar dhe grupacionit të tij, mbajtja e PD-së zyrtare juridikisht.

Një tjetër çështje ndërkaq, e cila po shqyrtohet në Kolegj, është nëse emri i Sali Berishës, do të jetë apo jo në fletën e votimit përkrah koalicionit Bashkë Fitojmë, apo do të jetë emri i Metës, si drejtues i partisë që drejton koalicionin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore