Lajme

Lockdown-i, ngritje alarmante e skllavërisë moderne


Raportet e shfrytëzimit seksual dhe kriminal janë rritur në mënyrë alarmante gjatë pandemisë, sipas të dhënave të reja që matin shkallën e skllavërisë moderne dhe trafikimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Rastet e shfrytëzimit seksual, të cilat përfshijnë njerëz që janë kapur në shtëpi publike dhe janë detyruar të ushtrojnë prostitucion, u rritën me një të katërtën e shifrave të vitit të kaluar. Gati, një e katërta e rasteve flagrante përfshinin fëmijë.

Shfrytëzimi kriminal, i cili përfshin vjedhjen e dyqaneve dhe lypjen e forcuar, u rrit me 42%. Një e pesta e viktimave të mundshme mendohet se janë të mitur. Dhjetëra raste iu referuan aktiviteteve të lidhur me drogën, përfshi këtu bandat e linjave të qarkut, ku të rinjtë përdoren për të transportuar drogë dhe para.

Analiza nga vlerësimi vjetor i linjës moderne për skllavërinë, se asnjëherë nuk janë përfshirë kaq shumë fëmijë.

Statistikat, të cilat përfshijnë të dhëna për çdo zonë policore të MB, përdoren për të hedhur dritë mbi dinamikën dhe shtrirjen e skllavërisë moderne.

Të martën e kaluar, më shumë se një duzinë grash rumune u shpëtuan nga policia gjatë një serie bastisjesh në Londrën perëndimore në një rrjet të dyshuar të trafikimit seksual. Më pak se 24 orë më vonë, 11 anëtarë të dyshuar të një rrjeti tregtues droge, u arrestuan për trafik njerëzor dhe vepra moderne të skllavërisë në jug të kryeqytetit.

Operacioni i mëparshëm bëri që një detektiv i lartë i policisë Metropolitane të paralajmëronte se publiku mund të hasë pa e kuptuar në viktima të skllavërisë moderne çdo ditë.

Raportet në linjën e ndihmës, treguan se rumunët përbëjnë grupin më të madh të viktimave, të ndjekur nga të ardhurit nga Kina, Shqipëria dhe Anglia.

Gjatë pandemisë, u pa një rritje prej 95% e raporteve në lidhje me skllavërinë moderne në fermat e kanabisit, provë e mëtejshme se tregu i drogërave në Mbretërinë e Bashkuar mbetet konkret.

Në total, linja e ndihmës kishte pothuajse 8 mijë kontakte nga viktimat dhe profesionistët që punonin në shërbime të tilla si NHS vitin e kaluar. Si rezultat, u identifikuan 3 mijë e 481 viktima të mundshme të skllavërisë moderne, 10% e tyre ishin fëmijë, nga 7% në 2019.

Justine Currell, drejtor ekzekutiv i Unseen dhe bashkëautor i vlerësimit, tha: “Një vit nga mbyllja e parë, numri i raporteve në lidhje me shfrytëzimin seksual dhe kriminal, dhe ato që përfshijnë fëmijë, është veçanërisht alarmante”.

Ajo tha se megjithëse bllokimi e bënte të dukshme shfrytëzimin, siç qenë njerëzit e detyruar të punonin në lavazhe makinash, të dhënat sugjeruan që skllavëria moderne ishte ende e lulëzuar. Pavarësisht nga vështirësia për të arritur viktimat, rastet e shfrytëzimit seksual u rritën nga 219 në 273 dhe rastet e shfrytëzimit kriminal u rritën nga 179 në 254.

Vlerësimi i linjës së ndihmës do të nisë të mërkurën e 7 marsit, nga komisionerja e pavarur anti-skllavëri e Mbretërisë së Bashkuar, Sara Thornton. Kjo e fundit shtoi se ishte një “mekanizëm i rëndësishëm alternativ” për viktimat që kërkojnë ndihmë. Që nga fillimi i saj në 2016, linja e ndihmës ka identifikuar më shumë se 20 mijë viktima të mundshme të shfrytëzimit.

Currell shtoi: “Ekziston ende një mungesë e përgjithshme e ndërgjegjësimit për skllavërinë moderne, e cila mund të përfshijë deri në 100 mijë njerëz vetëm në Mbretërinë e Bashkuar”.

Shifrat zyrtare e vitit të kaluar, zbulojnë se më shumë se 10 mijë viktima të dyshuara të trafikimit, skllavërisë dhe punës së detyruar u identifikuan në MB.

Statistikat e fundit të Home Office tregojnë një rritje të madhe të njerëzve që hyjnë në mekanizmin kombëtar të referimit, i cili mbështet viktimat e skllavërisë moderne. Kombësitë më të zakonshme që u identifikuan ishin njerëz nga Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria dhe Vietnami.

Përshtatur për The Guardian nga Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore