Lajme

Llogaria e Abazoviç në Twitter, ndër 50 më me ndikim të diplomacisë digjitale në botë


Dritan Abazovic

Llogaria në Twitter e kryeministrit të Malit të Zi me mandat teknik, Dritan Abazoviç, është renditur në vendin e 30 në studimin e fundit “World leader power ranking”, të realizuar nga BCW Twiplomacy për vitin 2022.

“Twiplomacy monitoroi dhe vlerësoi ndikimin e figurave kryesore të diplomacisë dixhitale duke përdorur metodologjinë më moderne, duke marrë parasysh faktorë të ndryshëm si tweets, retweets, shtrirjen, ndikimin, pëlqimet dhe numrin e përgjithshëm të ndjekësve në Twitter”, njoftoi Abazoviç në rrjetet sociale.

Në tre vendet e para në listë janë kryeministri indian Narendra Modi, presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan. Një fakt paksa i çuditshëm është se listës këtë herë i mungojnë liderët e Rusisë dhe Kinës, të cilët kanë zgjedhur rrjetet e tyre sociale apo kanalet e komunikimit vendas.

“Studime të këtij lloji janë publikuar nga Twiplomacy që nga viti 2012 dhe vendosja e kryeministrit malazez në mesin e Top 30-ve është një arritje dhe mirënjohje e rëndësishme për punën e tij në diplomacinë digjitale”, shtoi Abazoviç.

Studimi i Twiplomacy mori parasysh informacionin për vendet e përfaqësuara nga liderët, duke përfshirë GDP-në për frymë, shfrytëzimin e internetit, nivelin e të ardhurave bazuar në kategorizimin e Bankës Botërore, madhësinë e popullsisë dhe gjuhën e cicërimave.

Diplomacia digjitale, e mbiquajtur edhe e-diplomacy, nënkupton shfrytëzimin gjithnjë e më të madh të teknologjive informative dhe të komunikimit, si dhe të medias sociale për të arritur qëllime të caktuara  në politikën e jashtme dhe në  sferën e diplomacisë apo të diplomacisë publike.

Është diplomaci e botës kibernetike, e jetës digjitale, e telefonave mobilë, e medias dhe rrjeteve sociale, të një sistemi ku mbizotërojnë senzorët dhe algoritmat, diplomaci e ubernetit. Diplomaci e “kombeve/shteteve digjitale” (Facebook, Tencent, WhatsApp, LinkedIn, Instagram, Twitter etj,.)

Disa e kanë quajtur edhe twiplomacy. Në Britaninë e Madhe quhet diplomaci e zgjidhjes së çështjeve diplomatike klasike përmes internetit. Diplomacia digjitale i shmang kufijtë, e shpërfillë protokollin. Zyrat shtetërore mund të mbyllen por interneti, laboratorët e inovacioneve dixhitale  dhe diplomacia digjitale punon 24 orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore