Shqipëria

Llogara/ Gjenden dy turistë holandezë, të cilët kishin humbur


Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë bën të ditur se ju ka ardhur në ndihmë 2 turistëve holandezë, të cilët kishin humbur rrugën në Llogara.

Çifti i turistëve holandezë, kishte humbur kontaktet, rrugën dhe orientimin një ditë më pare. Për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës, e kishin të pamundur kthimin mbrapa, thuhen në deklaratën e policisë.

Menjëherë pasi shërbimet e policisë së Vlorës u njoftuan për humbjen e turistëve, kanë nisur kërkimet që prej mbrëmjes së djeshme.

Kërkimet kanë vijuar deri në mesditën e sotme, deklaron policia.

Si rezultat i këtyre kërkimeve, u bë i mundur lokalizimi dhe kontakti me dy turistët në vendin e quajtur “Qafa e thellë”, Llogara.

Aktualisht po bëhet transportimi i çiftit pranë vendndodhjes së tyre në Parkun e Llogarasë.

Policia njofton se turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore