Përballje

Llapi – Prishtina: Ndeshja që do të përcaktojë finalistin e Kupës së Kosovës


Sot (e mërkurë) do të zhvillohet ndeshja e kthimit në mes të Llapit dhe Prishtinës, në kuadër të gjysmëfinales të Kupës së Kosovës.

Gjysmëfinalja e parë e zhvilluar me 7 prill në Prishtinë, përfundoi me rezultat 2:3 në të mirë të Llapit.

Andaj, skuadra e Tahir Batatinës, është më e favorizuar për të kaluar në finale, pasi që në këtë ndeshje do të jetë vendas, dhe me një rezultat mjaft të favorshëm.

Llapi, që në Superligën e Kosovës nuk ka më objektiva, Kupa e Kosovës mbetet shpresa e vetme për tu kualifikuar në garat evropiane sezonin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, Prishtina që po lufton në dy frone, për titull kampion të Superligës së Kosovës, edhe në Kupë, do të synojë përmbysjen e rezultatit, për të kërkuar kupën e tetë në historinë e tyre.

Në gjysmëfinalen e parë, lojtarët e trajnerit Tahir Batatina u paraqitën më mirë duke krijuar një epërsi prej tre golave me anë të dy golave nga Ahmed Januzi dhe një nga Kushtrim Shabani.

Por, djelmoshat e trajnerit Zekirija Ramadani, nuk u dorëzuan duke shënuar dy gola në fund të takimit me anë të Albin Prapashticës dhe Mërgim Pefqelit, për të lënë gjithçka të hapur për gjysmëfinalen e dytë në Podujevë.

Prishtina është klubi më i trofeshëm në Kupën e Kosovës duke e fituar shtatë here, ndërsa Llapi po kërkon titullin e parë në histori të tyre.

Në ndeshjet mes tyre të këtij sezoni, prishtinasit kanë fituar dy herë, llapjanët një dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim.

Andaj, mbetet të shihet në këtë ndeshje që premton lojë interesante, se kush do t’i bashkohet Dukagjinit në finalen e madhe të futbollit kosovar.

Vlen të theksohet se klubi i Dukagjinit është kualifikuar në finale, pa e zhvilluar ndeshjen e dytë gjysmëfinale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore