Përballje

Llapi deklason Ulpianën, fitojnë edhe Prishtina e Drita


Kanë përfunduar tri ndeshjet e para të xhiros së 10-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll.

E fillojmë me skuadrën e Llapit të cilën janë rikthyer në formë të mirë, duke shënuar fitoren e tretë radhazi.

Llapjanët këtë radhë ishin të pandalshëm, teksa deklasuan skuadrën e Ulpianës në udhëtim me rezultat 0:6.

Valmir Veliu ishte më meritori në këtë sukses, duke realizuar tre gola. Të parin e shënoi që në minutën e tetë, ndërsa të dytin e realizoi me kokë në minutën e 21-të.

Për epërsinë e trefishtë të pjesës së parë, mendoi Arbnor Ramadani, i cili shënoi një gol të bukur në minutën e 31-të.

Me të filluar pjesa e dytë, Veliu përsëri shënoi një gol të bukur, ndërsa në minutën e 59-të, Kastriot Selmani thelloi epërsinë e llapjanëve në 0:5.

Pesë minuta para se të përfundonte koha e rregullt, Gentrit Begolli shënoi gol, për rezultatin përfundimtar 0:6.

Me këtë fitore skuadra e Llapit ngjitet në vendin e shtatë në tabelë, me 12 pikë të grumbulluara, ndërsa Ulpiana mbyllë klasifikimin me shtatë pikë.

Fitore shumë të rëndësishme arriti edhe Drita, të cilët mposhtën në udhëtim skuadrën e Feronikelit, me rezultat 0:2.

Pjesa e parë përfundoi me porta të paprekura, ndërsa me të filluar pjesa e dytë, Marko Simonovski realizoi golin e epërsisë për gjilanasit.

Në minutën e 75-të, Almir Ajzeraj vulosi fitoren, duke shënuar për rezultatin përfundimtar 0:2.

Me këtë fitore, Drita ngjitet në vendin e tretë në tabelë, me 16 pikë të grumbulluara, ndërsa Feronikeli zë vendin e tetë me 10 pikë.

Fitore të rëndësishme arriti edhe kampioni në fuqi i Kosovës, Prishtina, të cilët mposhtën skuadrën e Malishevës me rezultat 2:1.

Besnik Krasniqi ishte protagonist në këtë ndeshje, duke realizuar dy herë në pjesën e parë nga pika e bardhë e penalltisë.

Por, në minutën e fundit të kohës së rregullt, Sobowale ngushtoi epërsinë, me rezultatin që mbeti i pandryshuar deri në fund, për tri pikë shumë të rëndësishme për Prishtinën.

Me këtë fitore Prishtina parakalon Malishevën në renditje, duke u pozicionuar në vendin e pestë me 13 pikë, ndërsa një pikë më pak ka kundërshtari i tyre i sotshëm.

Kujtojmë që java e 10-të e BKT Superligës së Kosovës në futboll do të mbyllet të mërkurën me dy ndeshjet: Dukagjini – Ballkani dhe Gjilani – Drenica.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore