Përballje

Llapi befason Prishtinën në kryeqytet ndërsa Dukagjini shënon fitore ndaj Istogut


Skuadra e Llapit e ka deklasuar Prishtinën, duke e mposhtur në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultat 1:3, në kuadër të gjysmëfinales së parë të Kupës së Kosovës.

Llapjanët qysh në fillim të ndeshjes treguan që do të jenë një kundërshtar i fortë i kryeqytetasve, duke shënuar në minutën e gjashtë përmes Ahmed Januzit.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale të mysafirëve, teksa me në minutën e 59-të, Januzi e dënoi për herë të dytë ish-skuadrën e tij duke shënuar për 0:2, kurse tre minuta me vonë, Kushtrim Shabani u përkujdes për epërsinë 0:3 në favor të skuadrës së Tahir Batatinës.

Prishtina arriti që ta ngushtojë epërsinë në minutën e 65-të me golin e shënuar nga Albin Prapashtica, deri sa në minutat shtesë Mërgim Pefqeli realizoi gol, për rezultatin përfundimtar 2:3.

Ndeshja kthyese do të zhvillohet më 21 prill në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Në gjysmëfinalen tjetër të Kupës së Kosovës, Dukagjini arriti fitore shumë të rëndësishme në udhëtim të Istogu me rezultat 1:2.

Dukagjini kaloi në epërsi në minutën e 28-të përmes golit të shënuar nga Altin Merlaku, teksa pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të mysafirëve.

Vendasit shpërdoruan një rast të mirë për të barazuar rezultatin në minutën e 70-të, deri sa Qendrim Jahaj dështoi të shënojë nga pika e bardhë e penalltisë.

Por vetëm pesë minuta më vonë Ragip Mazrekaj përmirësoi gabimin e shokut të tij, duke barazuar rezultatin në 1:1.

Në minutën e 77-të, Elton Basriu shënoi për rezultatin përfundimtar 1:2.

Kështu Dukagjini bëri një hap të rëndësishëm për të kaluar në finale, pasi që në epërsi do të presë Istogun në ndeshjen kthyese që do të zhvillohet më 21 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore