Shqipëria

Llalla ankesë në Gjykatën e Lartë, kërkon rikthim të pasurive


Adriatik Llalla, ish-prokurori i Përgjithshëm, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit e cila riktheu sekuestrimin e pasurive të tij.

Hetimi ndaj ish-prokurorit filloi nga Prokuroria e Durrësit me 15 mars 2018 me akuzat për fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

Dosja u dërgua në ish-prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) hoqi sekuestron e pasurive , ndërsa Apeli i kësaj gjykate e riktheu sekuestron.

Në fillim të dhjetorit Gjykata e Posaçme do të vendoste nën sekuestro një apartament dhe katër sipërfaqe toke në pronësi të Adriatik Llallës, pas hetimit pasuror që SPAK kishte kryer në bazë të ligjit antimafia për ish-prokurorin.

Adriatik Llalla është marrë i pandehur për mosdeklarim dhe fshehje pasurie, vepër e cila, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Ai u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar. Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, vepra të cilat ranë.

Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla, dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vetingut. Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë  persona non grata duke i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore