Lajme

Lladrovci pas bisedës me Thaçin e Selimin: Ishin ndër bisedat më emocionale në jetë


Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka treguar se është telefonuar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka treguar se është telefonuar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, bisedë kjo për të cilin është cilësuar “si ndër më emocionalet”.

Lladrovci përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se kjo bisedë telefonike ishte e para prej se të njëjtit ndodhen në Hagë.

“Ndër bisedat e mia më emocionale në jetë, ishte biseda e sotme telefonike me miqtë e mi, Hashimin dhe Rexhepin. Bisedat ishin plot ndjeshmëri, sepse, për herë të parë prej se ndodhen në Hagë, pata rastin të flas e dëgjoj zërin e tyre”, ka shkruar i pari i Drenasit.

Për të, ish-presidenti Thaçi dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, “është pjesë e pandashme e historisë tonë, krenarisë dhe dinjitetit nacional”.

Ai i ka falënderuar të dy për thirrjen, derisa theksoi se ata u mungojnë jo vetëm miqve dhe familjarëve por edhe shtetit.

“I falënderova për thirrjen miqtë e mi, Hashimin dhe Rexhën dhe iu thash se ju i mungoni jo vetëm familjeve, shokëve e miqve, por edhe Republikës së Kosovës, shtetit e shtetësisë tonë”, shtoi ai.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale.

Ish-presidenti i Koovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Akuza për të gjithë është e njëjtë. Sipas prokurorisë në Speciale, themeluesit e UÇK-së kanë kryer krime në luftën e fundit, ose duke marrë pjesë ose duke i lejuar ato pasi ishin në zinxhirin komandues.

Të gjithë nga të akuzuarit i kanë mohuar kategorikisht akuzat që rëndojnë mbi ta. Ata janë deklaruar të pafajshëm në fjalimet e tyre të para në gjykatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore