Sport

Liverpool-i sezonin e ardhshëm pritet të ndryshojë trajner


Sipas The Sun, ekziston një besim në rritje se Jurgen Klopp-i do t’i thotë “po” mundësisë për të pasuar Joachim Low si trajner të Kombëtares së Gjermanisë. Ndërkohë që vendin e Klopp-it pritet ta marri Steven Gerrard-i.

Pasi përfundoi një pritje rreth 30-vjeçare të Liverpool-it për të fituar trofeun e Premier Ligës, Klopp-i është i hapur për t’u larguar. Edhe Federata Gjermane e Futbollit (DFB) e sheh si kandidat potencial Klopp-in.

Low ka në krye të panzerave që nga viti 2006 dhe i ka çuar drejt suksesit në Kupën e Botës 2014, por ajo e 2018 ishte një mankth për gjermanët.

Pavarësisht fjalëve për shkarkimin e Low, trajneri ka kontratë që përfshinë edhe Euro 2020, që do të luhet sivjet, si dhe për Kupën e Botës 2022 në Katar.

Duke parë një situatë të tillë me Klopp-in, drejtuesit kryesorë të Liverpool-it, John Henry dhe Tom Werner-i kanë vëzhguar nga afër punën e ish-kapitenit të Liverpool-it, Gerrard-it te Rangers-i.

Gerrard-i është duke bërë një sezon të shkëlqyer me Rangers-in dhe duket afër trofeut në kampionat, ndërkohë që edhe në Ligën e Europës është kualifikuar në 16 më të mirat, ku përballë do të ketë Slavia Praha-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore