Sport

Liverpool-i kërkon fitoren e parë ndaj Atletico-s në Champions League


Përballja më fortë në Champions League për këtë të martë do të luhet në Grupin B. Atletico Madrid-i vendas do të presë Liverpool-in në “Wanda Metropolitano”, duke filluar nga ora 21:00.

Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone dhe ajo e drejtuar nga Jurgen Klopp-i janë pjesë e Grupit B, së bashku me Milan-in dhe Porto-n.

Pas dy ndeshjeve të para, Liverpool-i udhëheq grupin me gjashtë pikë të plota. Ndiqet nga Atletico me katër pikë, Porto me një pikë dhe Milan-i pa asnjë pikë.

Atletico ndeshjen e fundit në Champions e fitoi me përmbysje përballë Milan-it, nga 1-0 ne 1-2. Liverpool-i fitoi bindshëm 5-1 në transfertë përballë Porto-s.

Historiku

Spanjollët kanë arritur të fitojnë dy përballjet e fundit me anglezët në Champions. Përkatësisht, me shifrat 1-0 dhe 3-2 ( në “Anfield” pas kohës shtesë).

Në përballjet direkte historike mes tyre në Champions League, Atletico numëron dy fitore. Dy ndeshje të tjera kanë përfunduar në barazim. Liverpool-i është ende në kërkim të fitores së parë. Gjashtë gola ka shënuar Atletico dhe dy Liverpool-i, në portat respektive.

Fitoren e vetme përballë Atletico-s, Liverpool-i e ka marrë në vitin 2010 në Europa League me shifrat 2-1. Takimin e parë e kishte fituar Atletico me rezultatin 1-0.

Deklaratat e trajnerëve

Në konferencën për shtyp para ndeshjes kanë folur të dy teknikët. Për Simeone-n “Chelsea, (Manchester ) City, Liverpool-i po kalojnë një periudhë fantastike. Është kënaqësi të shohesh sesi ata luajnë”.

“Me (Virgil) Van Dijk-un mbrapa, ata (Liverpool-i) kanë përmirësuar mbrojtjen e tyre. Ne do të përpiqemi të gjejmë mënyrën për t’i goditur ata”, shtoi Simeone.

Në krahun tjetër, Klopp-i tha për mediat se “Atletico është ndryshe (tani) sepse luan një sistem tjetër, por ata janë akoma makineria e rezultateve që ishin më parë”.

“Është e pabesueshme sesi Diego (Simeone) i mban të gjithë në këmbë. Asnjë kritik për këtë”, vijoi të thoshte gjermani.

Formacionet e mundshme

Atletico 3-5-2: Oblak; Hermoso, Felipe, Kondogbia; Carrasco, Lemar, Koke, Llorente (De Paul), Trippier; Suarez, Joao Felix.

Liverpool 4-3-3: Alisson; Arnold, Matip, Van Dijk, Robertson; Henderson, Fabinho, Keita; Salah, Firminho, Mane.

Për Simeone-n pritet të mungojnë: Jose Maria Gimenez-i, Matheus Cunha dhe Stefan Savic-i. Marcos Llorente është në dyshim. Për Klopp-in do të ketë dy mungesa, Thiago Alcantara dhe Harvey Elliott-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore