Sport

Liverpool-i fiton përballë Milan-t, klasikja dhuron përsëri spektakël


Milan u rikthye pas shtatë viteve në Champions League, e kuqezinjtë për herë të parë vizitonin “Anfield-in” e zjarrtë.

Liverpool-i ishte nikoçir i tyre, me dy skuadrat që dy herë më parë ishin ndeshur në majën më të lartë të futbollit për klube, finalen e Champions.

Skuadra e Klopp e nisi më mirë, duke shënuar pas nëntë minutash.

Një goditje e Arnold, e gjeti devijimin e Fikayo Tomori-t, që shumë pa fat shënoi autogol.

Në minutën e 14-të, Salah lëshoi mundësinë e artë nga penalltia.

Milan-i, edhe pse me një ekip shumë të ri, pa përvojë në këtë kompeticion, luftoi duke bërë një paraqitje shumë të mirë.

Kuqezinjtë madje heshtën stadiumin “Anfield”, duke shënuar dy herë në minutat mbyllëse të pjesës së parë.

Ishte fillimisht Ante Rebic, pastaj Brahim Diaz, ata që ngritën në delir botën kuqezi, me Milan-in që në pushimin mes pjesëve shkoi papritur në avantazh.

E dyta ishte ndryshe, me Liverpool-in që barazoi rezultatin menjëherë pas katër minutash.

Ishte Salah ai që shënoi për 2-2.

20 minuta më vonë, ishte kapiteni i të kuqve, Jordan Herdenson, ai që Liverpool-it ja dhuroi epërsinë e dytë.

Deri në fund Liverpool-i kontrolloi ndeshjen duke ruajtur edhe epërsinë.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Atletico Madrid dhe Porto barazuan 0-0.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore