Lajme

Lista Serbe vazhdon të ankohet –  flet me nënsekretarin e OKB-së për “represionin e ushtruar” ndaj serbëve


Lista Serbe në takim me nënsekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Operacionet e Paqes, Jean-Perre Lacroix

Lista Serbe, këtë të shtunë, ka takuar nënsekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Operacionet e Paqes, Jean-Perre Lacroix dhe shefen e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) Caroline Ziadeh.

Siç rëndon ndodh përfaqësuesit e kësaj Liste i janë ankuar të dërguarve të OKB-së, për siç po pretendojnë ata, “represionin e ushtruar” ndaj serbëve nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë takim Lista Serbe ka nënvizuar, gjithmonë sipas tyre, rrezikun real të lëvizjeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës.

“Po dëshirojnë të hyjnë dhunshëm në ndërtesat e komunave serbe në Veri të Kosovës duke rrezikuar paqen në këtë vend. Ne jemi për paqe dhe dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura. Është përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare të ruaj paqen dhe të parandalojë lëvizjet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit.

Ndryshe nënsekretari e OKB-së, , Jean-Perre Lacroix, e ka pritur në takim gjatë ditës edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilin ndër të tjera ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.

“Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces dhe e përkushtuar për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Ndërsa Lista Serbe është takuar sot me nënsekretarin e OKB-së, kryetari i kësaj Liste, Goran Rakiç, ka bërë të ditur se po qëndron në vizitë zyrtare në Kinë, si pjesë e delegacionit të Serbisë.

“Delegacioni i Republikës së Serbisë në vizitë zyrtare në Republikën Popullore të Kinës dhe Partinë Komuniste kineze. Rroftë miqësia e çeliktë serbo – kineze”, ka shkruar Rakiç në Facebook, derisa ka shtuar edhe disa fotografi nga kjo vizitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore