Lajme

Lista Serbe takon shefen e UNMIK-ut: Formimi i Asociacionit çështje urgjente


Shefja e UNMIK-ut në takim me Listën Serbe

Lista Serbe, të mërkurën ka takuar, përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm dhe njëherit shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

Takimin e ka njoftuar vetë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.

Rakiç në takim me Ziadeh e ka vlerësuar si urgjente formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si dhe tërheqjen, siç e ka quajtur ai, të njësitit special nga Veriu.

“Duhet të ndalohen persekutimet politike dhe arrestimet në mënyrë që të mundësohet jeta paqësore e serbëve në këto zona dhe të ruhet stabiliteti dhe mbijetesa”, ka shkruar Rakiç në rrjetin e tij social në Facebook.

Ndryshe ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të njohura ndryshe si QUINT-i, kanë lëshuar një deklaratë për media, ku janë rreshtuar pro mbajtjes së zgjedhjeve me 23 prill, derisa kanë shprehur keqardhje për mos-pjesëmarrjen e Listës Serbe.

“Na vjen keq që Lista Serbe nuk ka përdorur të drejtën e vetë demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave.

“Zgjedhjet janë themeli i demokracisë”, shkruajnë ata, prandaj “të siguruarit se ato mbahen në mënyrë të rregullt dhe paqësore është esenciale”.

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore