Lista Serbe takohet me Gjuriç-in e Petkoviç-in në Serbi, diskutohet situata politike dhe e sigurisë në Kosovë

Lista Serbe me Marko Gjuriç e Petar Petkoviç

Dreni Himbeqa
08.06.2024 10:59
Loading Icons...

Përfaqësuesit e Listës Serbe, të premten, në Serbi kanë takuar ministrin e Punëve të Jashtme, Marko Gjuriç dhe të ashtuquajturin drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Siç raportojnë mediat serbe tema e takimit ka qenë situata politike dhe e sigurisë në Kosovë.

Sipas mediumit serb me seli në Kosovë, Kosovo Online, përfaqësuesit e Listës Serbe i kanë raportuar Gjuriç-it e Petkoviç-it “për të gjitha sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet populli serb”.

Në anën tjetër kryediplomati serb pas takimit ka theksuar se të gjitha kapacitetet e diplomacisë serbe do të vihen në shërbim “të luftës për mbrojtjen e interesave serbe në Kosovë”.

“Ne do ta kthejmë secilën zyrë tonë diplomatike dhe konsullore në një lloj zyre të vogël për Kosovën, sepse të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se çfarë po ndodh dhe me çka po përballen çdo ditë njerëzit tanë në Kosovë”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Sipas Gjuriç konkluzioni i përbashkët që u arrit në takim me përfaqësuesit e Listës Serbe është se “forca e unitetit serb ka qenë gjithmonë dhe do të jetë mburoja më e fortë dhe përgjigja më e zëshme për të gjithë ata që mendojnë se mund ta shuajnë shkëndijën e ekzistencës serbe dhe emrin e mbiemrin serb në zonën e ​Kosovës”

Të fundit

Aktuale