Lajme

Lista Serbe: Sanksionet ndaj Veselinoviç dhe Radojçiç kampanjë për të dobësuar unitetin e serbëve


Lista Serbe përmes një reagimi në Facebook ka kundërshtuar vendimin e Thesarit Amerikan për t’i vënë sanksione nënkryetarit të saj Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojçiçit.

“Akuzat e pabazuara për anëtarët e Listës Serbe dhe serbëve nga veriu i Kosovës janë një kampanjë e koordinuar për të dobësuar unitetin dhe mbrojtjen e njerëzve tanë në këto zona”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Po ashtu në këtë njoftim theksohet se reagimet për sanksionet nga ana e zyrtarëve të qeverisë së Kosovës janë justifikime për aksionet e policisë në veri.

“Gjithashtu, qëllimi i dukshëm i aksioneve të përbashkëta propagandistike, paushalle, që shihet edhe në reagimin e Albin Kurtit, është që të justifikohen sulmet e fundit ndaj popullit duarthatë serb dhe derdhja e gjakut serb duke plagosur Srecko Sofronijeviçin gjatë dhunës brutale të aksionit të policisë së Kosovës, si dhe alibitë për veprime të mundshme të reja të njëanshme të Prishtinës në veri të Kosovës”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sanksione kundër grupeve të organizuara kriminale, kështu duke përfshirë edhe grupin organizuar kriminal të Zvonki Veselinoviç, i cili është një nga figurat më të korruptuara që vepron në Veriun e Kosovës.

Në njoftimin e Departamentit Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja, thuhet se Zvonko Veselinoviç si lider i Grupit të Organizuar Kriminal, është një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.

“Veselinoviç është e përfshirë në skemë të gjerë të ryshfetit me zyrtarë kosovarë dhe serbë të sigurisë të cilët e lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e Departamentit.

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore