Kosova

Lista Serbe, Osmanit: Kur t’u deshën votat nuk të dukeshim kriminelë


“Lista Serbe për fat të keq është shndërruar në përfaqësuese të interesave të organizatave kriminale, të cilat siç e thash janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara”.

Kësaj deklarate të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-it, Lista Serbe i është përgjigjur përmes një komunikatë për media, ku deklaruan se pa votat e tyre, kjo e fundit nuk do ta gëzonte postin e Presidentit.

“I rikujtojmë zonjës Osmani se postin që e ka e ka marrë falë dy deputetëve të grupit parlamentar të Listës Serbe”.

Madje, sipas tyre, Osmani e di se cili zyrtar i lartë i Listës Serbe kishte bindur dy deputetët që ta votojnë për ta zgjedhur atë presidente.

Prandaj, siç kujton partia serbe, në kohën kur në Kuvend po zgjidhej Presidenti, “Lista Serbe dhe drejtuesit e saj nuk ishin kriminelë”.

Sipas Listës Serbe, në Veri të Kosovës, askush nuk e percepton Vjosa Osmanin si presidente.

“Përderisa ajo është e tillë nuk ka çka kërkon në Veri të Kosovës”.

Nga ana tjetër, Osmani për sojin e këtyre deklaratave kishte theksuar se “nuk frikësohen nga unë, por nga udhëheqësit e organizatave kriminale që i kanë bllokuar dhe po i mbajnë peng, po i mbajnë në mënyrë që të rikthehen tensione në stilin e Putinit”.

“Prandaj i ftoj të gjithë që të mos bien preh e propagandës që burimin e ka në Rusi dhe tek njerëzit që i takojnë të kaluarës së Millosheviç-it”, shtoi Osmani, duke aluduar këtu në vetë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë të 90-tave, ishte ministër i Kasapit të Ballkanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore