Shqipëria

Lista e anëtarëve të KZAZ-ve, beteja e radhës brenda PD-së


Një përçarje e destinuar të vijojë edhe në dyert e institucioneve zgjedhore si KQZ-ja.

Partia Demokratike është zhytur prej kohësh në një vorbull betejash për legjitimitetin e kësaj force politike.

Në orët e mbrëmjes të së dielës para përfundimit të afatit, përfaqësuesi demokrat Gazment Bardhi dorëzoi një tjetër listë pranë KQZ-së me anëtarë për Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ).

Pra, aktualisht në tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjenden dy lista me anëtarë të KZAZ-ve nga PD-ja, njëra nga grupimi i Sali Berishës dhe tjetra nga grupi i Enkelejd Alibeajt.

Më herët, Partia Demokratike dorëzoi të premten e 27 janarit në KQZ emrat e anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve për zgjedhjet e 14 majit.

Lista me emrat mbante firmën e sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se në momentin që do të vijnë propozimet për anëtarë të KZAZ-së do të vlerësohet legjitimiteti i atij personi që në emër të PD-së paraqet këto propozime.

Ai ka theksuar po ashtu se do të vlerësohet legjitimiteti i autorizimit në qoftë se do të paraqitet ky propozim nga anëtarë të KZAZ-së.

Dhe se aktualisht përfaqësues ligjorë janë Marash Logu dhe Indrit Sefa, por se ka komunikime edhe me Ivi Kason dhe përfaqësues të tjerë të PD-së.

“Ne kemi komunikim institucional me PD-në. Deri në momentin që flasim përfaqësues i PD-së në KQZ është Marash Logu dhe Indrit Sefa. Kemi komunikime të karakterit profesional qoftë me Ivi Kason dhe përfaqësues të tjerë të PD-së”, ka thënë ai.

Celibashi ka vijuar duke thënë se do të vlerësohet legjitimiteti i atij që përcjell dokumentacion në KQZ.

“Në kuptimin është apo nuk është ky person me tagër për të sjellë në emër të PD-së kërkesa të ndryshme, propozime”, vëren kreu i komisionit.

“Ky legjitimitet është i verifikueshëm nga dokumentacioni që KQZ-ja merr nga Gjykata e Tiranës”, ka treguar Celibashi.

Gjithashtu, Celibashi deklaroi se organin që përfaqëson një parti politike, nuk e vendos KQZ-ja.

“Kjo është një çështje që nuk e vendos KQZ-ja se kush është organi që përfaqëson një parti politike, që udhëheq një parti politike nuk e vendos KQZ-ja, është një institucion tjetër dhe ne do të vlerësojmë në momentin që do të kemi këto kërkesa çfarë legjitimiteti ka ky apo ai person”, ka dalluar Celibashi.

Kujtojmë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi më 9 janar se si do të përcaktohen anëtarët e KZAZ-ve për vendoret e 14 majit.

Partia Socialiste do të propozojë dy anëtarë për çdo KZAZ si partia më e madhe e mazhoranancës dhe Partia Demokratike dy anëtarë si partia më e madhe e opozitës.

Partia Socialdemokrate si partia e dytë e mazhorancës dhe Partia e Lirisë si partia e dytë e opozitës do të kenë nga 1 anëtar në çdo KZAZ.

Anëtari i shtatë do të vendoset mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Sekretari do të propozohet nga PS-ja aty ku PD-ja ka propozuar zëvendës kryetarin, dhe e anasjellta.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin.
Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore